Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Berisha tha se Damian Gjiknuri u flak me këshillën për t’u arratisur, ashtu sic u veprua me Arben Ahmetajn.
Sipas Berishes, “ajo çka mund të thuhet me siguri nga ky zhvillim 50-minutësh është se djegësat po përzhitin, po përcëllojnë me flakët e tyre, ndonëse nuk janë ndërtuar, mazhorancën mafioze të Edi Ramës”.
“Ajo dosje që rëndom quhet dosja Ahmeti, në cdo rresht, në cdo fjalë ajo është dosja Rama, dosja Agaci, dosja viktima e fundit Damiani, i cili u flak sot si Arben Ahmetaj, natyrisht me këshillën për t’u arratisur. Dosja dhe flakët e saj kanë përcëlluar ministra dhe deputetë. Ndaj dhe lokali i bukur i pronarit të vet u shndërrua në një shpellë mafie për një orë. Nuk kam asgjë me lokalin, por dyert e mbyllura ishin fytyra e vërtetë e mafies shtetërore. Asambleja e mafies shtetërorë më të rrezikshme në Evrope u mblodh pas turpit të arratisjes së shekullit, të numrit dy të qeverisë.
Ai u arratis me porosi të Ramës pasi dekonspiroi kërkesën për arrest që do tja adresonin parlamentit. Në këtë kontekst dyert e mbyllura janë akt akuzë në vetëvete. Janë dëshmi e fajësisë të kupolës së plehrave. Dosja po shpërben këtë mazhorancë mafiozë, këtë kupolë mafioze. Rama është i gatshëm të shesë secilin prej tyre për të shpëtuar lëkurën e tij, por vetë është i pashpresë”, u shpreh ish kryeministri.
Gjithashtu Berisha tha se Gjiknuri është në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal.
“Gjiknuri është një kufomë politike e pakallur me dy hetime të tmerrshme, një kombëtar dhe një ndërkombëtar.
Është në hetim kombëtar për aferën e inceneratorëve, por në një vepër penale bashkautor me Edi Ramën dhe shpejt do e sjellin këtu, Gjiknuri është në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal, dhe Edi Rama kujton se do e kalojë Lanën duke hedhur Gjiknurin. Jo, do bjerë vetë. Çështja McGonigal i rri si shpatë Damokleu. Asambleja më shumë foli me dyert e mbyllura të saj.
Të dashur qytetarë dhe qytetare. U mblodhën si në bodrum se kanë frikë dhe tmerr nga ju. Jo vetëm ju, por edhe anëtarësia e PS. Nuk ndjejnë asnjë detyrim ndaj saj. Tani me moton erdhëm, vodhëm, ikim, ata nuk pyesin për asnjë njeri.
Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje dhe kjo zgjidhje është në duart tuaja. Kjo zgjidhje nuk është në duart e askujt tjetër përveç njerëzve të lirë, njerëzve idealistë që vendosin të përballen dhëmbë për dhëmbë me këtë mafie të rrezikshme dhe t’i japin përgjigjen që meriton.
Unë kam besim se së shpejti, shqiptarët do flasin me zërin e tyre”, tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post