Drejtuesi i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri shoqëruar nga kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro zhvilluan një takim elektoral në Qeparo.
Duke ju referuar investimeve të ndërmarra nga qeveria gjatë viteve të fundit, Gjiknuri tha se gjithçka është bërë e mundur në sajë të suksesit të reformave shtetndërtuese.
“Kjo shëtitore as nuk mund të imagjinohej në kohën e një qeverisjeje tjetër. Kjo është bërë realitet falë ndërhyrjeve dhe interesimit të Kryeministrit Edi Rama. Vitet e fundit, trajektorja ekonomike vijoi të rritet dhe kjo na mundësoi të rrisim pak dhe pensionet edhe pse e di që nuk janë rritur mjaftueshëm. Kjo na mundësoi të nisim investimet në të gjithë bregdetin dhe kjo është garancia që shtetformimi që po bëjmë siguron që gjithë të mirat dhe investimet do të vazhdojnë. Kuptohet, nën drejtimin e një lidershipi të Edi Ramës. Edhe reforma e fundit, reforma në drejtësi, aq e domosdoshme sepse Shqipëria ka vuajtur shumë nga mungesa e drejtësisë. Ju jeni dëshmitarë edhe të shumë problemeve që ka këtu me pronësinë, probleme të trashëguara e konflikte që nuk zgjidhen kurrë. Pronarë që mbijnë nga hiçi, njerëz të lidhur me pushtet mbijnë pronarë. Të gjitha këto kanë ardhur si rezultat i degradimit të drejtësisë. Kjo reformë e guximshme, megjithëse shkaktoi termet politik sepse ndaj u hodhën përpjetë dhe u futën në çadër ata, por Rama tregoi vizion politik dhe tha se kam ndërmend të vazhdoj drejt këtyre reformave pasi vetëm kështu bëhet Shqipëria”, këmbënguli Gjiknuri.
Më tej, ai shprehu bindjen se Partia Socialiste do të jetë në gjendje të marrë mbështetjen popullore për të qeverisur e vetme pas 25 Qershorit.
“Kemi marrë përsipër ta qeverisim të vetëm këtë vend sepse jo gjithmonë njerëzit që kishim pranë, partnerët që kishim në koalicion, ecin më të njëjtin ritëm si ne drejt reformave por përkundrazi krijonin pengesa. Ne po i kërkojmë shqiptarëve një mandat të plotë për të çuar këto reforma përpara”, theksoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro tha se investimet duhet të vazhdojnë për të përmirësuar jetesën e banorëve dhe zgjidhur problematikat me të cilat ndeshen.
“Që të kthehet Himara në bashkë turistike, investimet nuk duhet të ndalojnë. Investimet duhet të vazhdojnë më tej në energjitikë ku kanë filluar dhe po vazhdojnë; në ujë që kanë filluar dhe do të vazhdojnë. Jemi akoma në projektim të ujësjellësit të madh i cili do të zgjidhë përfundimisht problemin e ujit nga Kuçi në Himarë i cili do të furnizojë edhe Qeparoin”, vlerësoi Goro.
Diskutime rreth kësaj post