Takimi i Edi Ramës me Angela Merkel në ditën e Pavarësisë shërbeu për të kuptuar pozicionin që Këshilli Europian do të mbajë në 15 dhjetor. Vetë Merkel nuk u shpreh drejtpërsëdrejti, por vlerësimi për progresin e Shqipërisë ishte i qartë.
“Komisioni Europian kërkon që zhvillimi në Shqipëri të jetë konstant dhe përparimet e bëra nga Shqipëria i ka përmendur edhe në raportin e progresit. Dua të përgëzoj përzemërsisht Kryeministrin Edi Rama për këto përparime”, tha Merkel.
Por a do të thotë kjo një “Po” në dhjetor? Burime diplomatike konfirmojnë për Top Channel se Gjermania është e gatshme të mbështesë rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtërsim me Shqipërinë, kur të jetë zbatuar ligji i vettingut dhe reforma në drejtësi.
“Sigurisht që tani është e rëndësishme që të vazhdohet në këtë drejtim. Për këtë arsye, Komisioni Europian përcakton 5 prioritete. Mes tyre është zbatimi i reformës në drejtësi. Sigurisht që tek to bën pjesë edhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kontekst, në axhendë ka gjithnjë masa permanente dhe këtë e tha edhe Komisioni Europian. Sigurisht, duke patur parasysh zgjedhjet, Shqipëria do të koordinohet ngushtë edhe me OSBE-ne”, tha Merkel.
Të njëjtat burime pohuan se Këshilli pritet t’i kërkojë Komisionit Europian raportim për ecurinë e zbatimit të ligjit të vettingut. Ai ishte edhe kryefjala e Kryeministrit Rama në daljen e përbashkët me Kancelaren Merkel, të cilës i tha se vjen në Berlin me premtimin e mbajtur të miratimit të reformës në drejtësi.
“Sot ne e kemi në kartën tonë kushtetuese të kryer këtë detyre. Por është detyrë në letër dhe duhet të fillojmë zbatimin e ligjit të vettingut”, tha Rama.
I bindur se 5 prioritetet do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi i Shqipërisë edhe pas hapjes së negociatave, Kryeministri Rama kishte një kërkesë specifike sesi duhet të jetë procesi për çeljen e negociatave.
Duhet të jetë një proces sa më i ndershëm dhe sa më i parashikueshëm.
“Unë dua t’ju them se Shqipëria e kërkon dhe e besoj e meriton nga Bashkimi Europian të njëjtin luajalitet që i ka shprehur vijimësisht BE-së me politikën e saj të jashtme 100 përqind të përputhur me vendimmarrjet e BE-së”, u shpreh Kryeministri Rama.
Burime të Top Channel thonë se gjatë takimit mes dy delegacioneve Kancelarja Merkel ka siguruar për mbështetjen që Gjermania do t’i japë raportit të Komisionit Europian në dhjetor, si dhe ka përjashtuar vendosjen e kushteve të reja për hapjen e negociatave.
I vetmi kusht nga 7 pritshmëritë që përmendi gjermani Krichbaum, mbetet zbatimi i ligjit të vettingut, kusht i shprehur qartë edhe nga raporti i Komisionit Europian./Top Channel/
Diskutime rreth kësaj post