Qeveria gjermane ka shpalosur një strategji të re për të nxitur rikthimin në vendet e tyre të origjinës, të azilkërkuesve që u është refuzuar qëndrimi. Sipas ministrit të Brendshëm Thomas de Maiziere, shteti gjerman ka në plan të shpërblejë me 6 mijë Euro çdo familje dhe me nga 1 mijë euro çdo individ që kthehet vullnetarisht në vendin e tij të origjinës.
Të riatdhesuarve vullnetarisht mund t’u paguhet nga shteti gjerman si pjesë e kësaj shumë edhe qeraja e shtëpisë dhe kostot e tjera të jetesës për një periudhë prej 12 muajsh pas rikthimit në atdhe. TV Klan shkruan se pritet të reduktohet ndjeshëm po ashtu edhe ndihma financiare për refugjatët që ndodhen në Gjermani.
Propozimet janë pjesë e paketës së quajtur “Vendi yt, e ardhmja jote, Tani!”, të cilën ministri de Maiziere e prezantoi në një intervistë për të përjavshmen Bild am Sonntag. Një paketë që vlen vetëm për ata azilkërkues që vendosin të rikthehen në atdhe brenda shkurtit të vitit të ardhshëm.
Nisma u ndërmor për shkak të ritmeve të ulta të riatdhesimit të azilkërkuesve të refuzuar, me prejardhje nga shtete të ndryshme të konsideruara si vende të sigurta origjine. Mes këtyre vendeve bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Kosova. Përllogariten gjithashtu mbi 30 mijë azilkërkues të zhdukur në Gjermani, pasi kanë marrë urdhërin për riatdhesim.
Diskutime rreth kësaj post