Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në lidhje me operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë dhe Francës kundër regjimit të Asadit, është shprehur se ekziston një rrezik serioz në përballjen e drejtpërdrejtë të sistemeve të armëve amerikane dhe ruse në Siri.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”, Steinmeier, ka theksuar se sulmet e ndërmarra në Siri nënkuptojnë kundërpërgjigje kundër përsëritjes së përdorimit të armëve kimike.
“Pavarësisht nga kënaqësia e madhe që këto mizori nuk kanë mbetur pa u ndëshkuar, për herë të parë në luftën siriane që vazhdon prej 7 vitesh, ekziston një rrezik serioz në përballjen e drejtpërdrejtë të sistemeve të armëve amerikane dhe ruse në tokën siriane”, ka theksuar Steinmeier.
Presidenti i Gjermanisë theksoi se ata që kërkojnë një të ardhme paqësore në Siri duhet të mendojnë përtej sulmit të ardhshëm ajror dhe se SHBA dhe Rusia kanë përgjegjësi të madhe në këtë drejtim.
Pasi ka bërë të ditur se SHBA dhe Rusia duhet të hedhin hapin e parë, Steinmeier tha se “Putin dhe Trump ia kanë borxh botës këtë. Nëse Washingtoni dhe Moska nuk gjejnë një rrugë që i afron në çështjen e Sirisë, atëherë është mundësia zero që të rregullohet situata në Siri”.
Ftohja e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit paraqet shqetësim, ka bërë të ditur Steinmeier, duke shprehur se “De facto tek të dy palët nuk ka më besim në bazë”.
Diskutime rreth kësaj post