“Deri në moshën 25-26 vjeçe unë kam menduar se jam më i mençuar se babai. Edhe më ka zgjatur içik adoleshenca”. Kështu u shpreh fillimisht Gjergj Luca kur u pyet nga gazetari Blendi Fevziu në lidhje me raportin me babain e tij, aktorin e madh Ndrek Luca.
Gjergj Luca tha se i ati iku në momentin që e pati shokun më të mirë të tij dhe se fjalët e tij i ka ende postulate.
“Dy vitet e fundit babai mu bë shok. Dy vitet e fundit fjalët e babait, unë i kam postulate. Fjalët e babait kanë qenë udhërrëfyeset e mia që kanë ardhur deri sot. Domethënë në çdo veprim, në çdo dilemë, në çdo rrugëtim që unë bëj më dalin përpara fjalët e babait dhe këshillat e tij se si unë duhet ta hedh hapin. Më ka ikur në momentin që unë e kisha shokun më të mirë. Shumë i ri ka ikur, vetëm nga një bajpas… Ka pasur një shpirt, ka pasur një temperament…”, tha Luca.
Ndër të tjera ai tregoi edhe për karakterin e vështirë në rini dhe se si Ndrek Luca e mori tek filmi “Flaka e maleve” e më tej e futi të punonte edhe murator që ta kuptonte vlerën e punës.
“Fillimin tim e kam murator me gollobordasit. Më fut im atë me koshiencë vetëm për me më zbut shpinë dhe për të më ulur kokën që puna…”, u shpreh ai.
E teksa shprehet se koha e diktaturës ka qenë një burg i mbyllur ku secili luftonte për mbijetesën, thekson se personazhe si ai i babait të tij janë të tilla që pranohen ashtu siç janë. E këtu u ndal të fliste se Ndrek Luca tregonte të vërtetën edhe pse në komunizëm ishte e vështirë të bëhej.
“Ndrek Luca donte të vërtetën, Ndrek Luca donte jetën, Ndrek Luca nuk donte rrenën dhe Ndrek Luca kur ballafaqohej me organizatën e partisë dhe kur ballafaqohej me të paaftët që ishin më të respektuar dhe më të aftë se të gjithë dhe thelbi i komunizmit ishte lufta mes të aftëve dhe të paaftëve që për mua ka mbaruar para një jave. Më në fund mbaroi feudalizmi bolshevik. Dhe për mua feudalizmi bolshevik ka mbaruar para 1 jave Blend”, tha Luca./tvklan.al
Diskutime rreth kësaj post