Gjenerali i lartë i Bashkimit Europian ka paralajmëruar se mos riorganizimi i një misioni ushtarak për të zbatuar një embargo armësh në Libi, do të thotë se BE ka dështuar në provën e saj të ambicieve të reja gjeopolitike.
Në një intervistë për revistën ndërkombëtare, “Politico.eu”, gjenerali italian Claudio Graziano, kreu i komitetit ushtarak të BE-së, deklaroi se ai kurrë nuk ka parë një “luftë të vërtetë kaq afër derës së Europës”.
Ai përmendi konfliktet në Libi, Siri dhe rajonin Sahel i Afrikës së Veriut, si shembuj të trazirave në kufijtë e BE-së.
Të hënën, ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë se si të vijojnë në konferencën ndërkombëtare të muajit të kaluar për Libinë në Berlin, ku fuqitë europiane u përpoqën të vendosnin një unitet pas vitesh ndarjesh mbi konfliktin.
Në agjendën e tyre është tema, se si të rigjallërohet, “Operacionin Sofia”, misioni detar në Mesdheun qendror i ngarkuar me mbikëqyrjen e embargos së armëve dhe luftimin e trafikimit njerëzor.
Misioni nuk ka qenë në gjendje të vendosë anije që nga marsi i vitit të kaluar për shkak të një vendimi të shtyrë nga zëvendës-kryeministri i atëhershëm i Italisë, Matteo Salvini.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe shumë qeveri të Bashkimit Europian, favorizojnë rifillimin e misionit.
Por Austria ka udhëhequr kundërshtimin e propozimit, me kancelarin Sebastian Kurz, duke argumentuar se misioni inkurajoi trafikimin e njerëzve dhe migracionin e paligjshëm, pasi emigrantët e dinin se ata kishin një shans për të shpëtuar nga anijet e ardhura drejt BE-së.
Diskutime rreth kësaj post