Në mënyrë krejt rastësore një banor i Évreux, komunë franceze në Normandinë e Lartë, ka zbuluar një sasi të konsiderueshme ari të fshehur brenda shtëpisë të sapo trashëguar. Pasi kishte vendosur të nxirrte në ankand mobiliet, trashëgimtari ka filluar t’i zhvendosë ato për t’i transportuar, duke gjetur poshtë divanit një kuti prej kallaji plot me monedha të arta. Kështu, ka nisur të kërkojë nëpër shtëpi objekte të tjera të ngjashme, duke zbuluar 100 kg ar për një vlerë prej rreth 3.5 milionë euro.
“Ishin fshehur shumë mirë, sepse ishin pozicionuar poshtë mobilieve dhe nën grumbujt e orendive të vjetra”, – tha drejtuesi i ankandit, Nicolas Fierfort. Në të gjithë shtëpinë kishte 5 mijë monedha të arta, dy valixhe me nga 12 kilogramë dhe 37 shufra ari me një nga një kilogram. Të gjitha ishin blerë mes vitit 1950 dhe 1960 me certifikatë autenciteti.
Një fat i madh, që gjithsesi rrezikon t’i kushtojë pasardhësit jo pak taksa. Në radhë të parë duhet të paguhet taksa e trashëgimisë, pra 45% e vlerës së shtëpisë dhe të thesarit të fshehur dhe duhet të verifikohet nëse gjatë viteve janë paguar autoritetet tatimore franceze. Nëse jo, trashëgimtari duhet të paguajë çdo detyrim të prapambetur.
Diskutime rreth kësaj post