Këshilli i Ministrave në Shqipëri miratoi sot pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s në Irak (NMI).
Sipas vendimit, në operacionin e NATO-s në Bagdad dërgohen me mision 6 ushtarakë të Forcave të Armatosura.
Misioni i ushtarakëve është trajnimi i personelit të Kolegjit të Shtabit të Forcave të Armatosura në Bagdad, Irak, dhënia e kontributit në trajnimin e personelit në fushën e procesit të planëzimit operacional, procesin e vendimmarrjes ushtarake, trajnimin për sigurinë kibernetike, si dhe edukimin për dhënien e ndihmës së parë.
Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 2 vjet. Periudha e qëndrimit në mision do të jetë 15 ditë, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për dorëzimin e detyrës dhe vonesat për transportin strategjik.
Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për: dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare; transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
“Transportimi i personelit, që do të shërbejë në Irak, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transportimi i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime”, thuhet në njoftim.
Reklama
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Diskutime rreth kësaj post