Pak muaj pasi ishte nisur mandatin e dytë qeverisës, Edi Rama njoftoi se në shtator do të ketë lëvizje në kabinetin qeveritar. Në këtë kuadër, socialistët vendosën të shtyjnë për në shtator edhe mbledhjen e Asamblesë së PS-së e cila ishte parashikuar të mblidhej në korrik.
Në shtator, Edi Rama dhe disa prej ministrave mbushin 5 vite në detyrë, dhe duket se këta të fundit shihen edhe si më të rrezikuarit sa i takon vazhdimit të punës në Këshillin e Ministrave. ‘Era e ndryshimeve’ në qeveri ka nisur të flitet edhe në radhët e grupit parlamentar të PS-së teksa javët e fundit disa prej deputetëve nuk i kanë kursyer kritikat ndaj ministrave.
Kush janë ministrat dhe arsyeja pse ata rrezikojnë të largohen nga detyra në shtator.
Mos hapja e negociatave ka lëkundur ndjeshëm postin e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Edhe pse Rama, pas daljes së vendimit që Shqipërisë ju shty me një vit hapja e negociatave, e ka mbrojtur Ministrin, vendimi në fjalë e nxori ‘blof’ si Bushatin ashtu edhe kryeministrin të cilët kishin dal garant për hapjen e negociatave këtë qershor. Pikërisht ky dështim mund ti kushtojë Bushatit karrigen ndërsa zëra për largimin e tij nga detyra u forcuan edhe më shumë kur Rama emëroi si Zëvendësministër të Jashtëm, ish-këshilltarin e tij Gent Cakaj. Ky i fundit, pa mbushur ende dy muaj në këtë post ju ngarkua edhe një tjetër detyrë, si koordinator mes ministrave dhe institucioneve shqiptare sa i takon përgatitjes për procesin e negociatave. Ajo që mund të shpëtojë karrigen e Bushatit është marrëveshja me Greqinë, në rast se ministri do të arrijë ta mbyll atë para shtatorit.
Karriera si ministër e Damian Gjiknurit, ashtu sikundër vetë Rama ka deklaruar, është e lidhur me rrugën Tiranë-Elbasan. Ministrit i është lënë afat për ta përfunduar brenda këtij viti. “Nëse nuk mbaron rrugën, do mbarojë vetë”, tha Rama në Elbasan për Ministrin e Transporteve në mars të këtij viti. Vetë Gjiknuri ka bërë të ditur se për përfundimin e rrugës duhen afro 4 muaj punë, por puna nuk ka nisur ende.
Kostoja e krijuar sa i takon çështjes së Teatrit Kombëtar, pavarësisht cili do jetë fati i godinës, kërkon ‘kurban’. Dhe në këtë prizëm, Mirela Kumbaro si propozuesja dhe hartuesja e ligjit, është më e rrezikuar. Kjo është një taktikë e njohur e Ramës, ku pasi ministri ka përmbushur ‘detyrat’ e lëna nga kryeministri është larguar nga detyra.(rasti Çuçi, realizoi reformën territoriale, mori përgëzimet e Ramës për ‘reformën historike’, por u shkarkua nga detyra pa mbaruar mandatin dhe nuk u zgjodh më)
Pas ligjit për Arsimin e Lartë, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, është duke kaluar sërish një moment jo komod në detyrë. Këtë herë, Nikolla është vendosur në shënjestër sa i takon çështjes së shpërndarjes së dëftesave. A do të jetë ky ‘problemi’ i fundit në detyrë si ministre, kjo do zbulohet në shtator, por pozitat e saj janë lëkundur tashmë.
Një tjetër veteran i qeverisë së Ramës, i cili rrezikon postin që mban është edhe Niko Peleshi. ‘Bujqësia’ që ai drejton duket se nuk është në nivelin që as vetë Rama priste, teksa tani ka nisur të bëj thirrje për investime në agro-turizëm. Gjithashtu Ministria e Bujqësisë nuk ka arritur ende të lëvrojë fondet që BE akordon për bujqësinë dhe kjo i ka dhënë një kosto shtesë ministrit Pelshi.
Në datën 6 korrik, u raportua se Pandeli Majko i paraqiti dorëheqjen Edi Ramës, por ky i fundit nuk e pranoi. Përplasja mes tyre erdhi pasi ministri nuk pranoi të votonte ligjin që parashikonte shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Në shtator do të shihet nëse Majko ka ndryshuar vullnetin, duke hequr dorë nga dorëheqja apo jo. Nëse Presidenti nuk e dekreton ligjin e teatrit, Majko do t’i duhet sërish të mbajë qëndrim kur mazhoranca ta rivotojë atë./Politiko.al
Diskutime rreth kësaj post