Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë të premten në Shkup se iniciativa Ballkani i Hapur, për Kosovën paraqet ide të rrezikshme.
“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.
“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit dhe ky proces quhet Proces i Berlinit, në kuadër të të cilit për disa vite synojmë të shtyjmë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët. Në këtë iniciativë, Republika e Kosovës është shtet i barabartë me pesë shtetet tjera të Ballkanit”.-tha ai.
Procesi i Berlinit, iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit. Sipas Gërvallës, iniciativa në fjalë vë në pikëpyetje edhe qëllimet gjeostrategjike që ka rajoni.
“Kjo iniciativë e quajtur më parë mini-Shengen dhe tani Ballkan i Hapur, vë në pikëpyetje përcaktimet gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, ka theksuar ajo.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar të enjten edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”. Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit evropian dhe jo nismave që, sipas tij, janë të dëmshme për shqiptarët.
Përveç pushtetit, kundër pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kreu i saj, Lumir Abdixhiku ka thënë se integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike mes shteteve.
Ai ka përmendur faktin që Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, teksa ka komentuar nismën Ballkani i Hapur, të liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për bashkëpunim ekonomik rajonal. Sipas tij, pavarësisht pse projekti mund të prezantohet si ekonomik, ai është politik, dhe se përfitimet ekonomike janë të parëndësishme përballë atij që e ka quajtur, mohim politik serb.
“Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Shengen’ e as si ‘Open Balkan’. Njohja para bashkëpunimit pa kufij”, ka thënë Abdixhiku sipas një postimi të publikuar nga faqja zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Facebook.
Kreu i LDK-së, ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale, por vetëm si palë e barabartë.
“Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”, ka thënë ai.
Përndryshe, tre liderët pjesëmarrës në takimin e së enjtes, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kanë nënshkruar dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
Diskutime rreth kësaj post