Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka zhvilluar dje një vizitë në Prokurorinë e Shkodrës. Sipas një njoftimi të bërë nga KLP, bëhet me dije, se Ibrahimi i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Vatë Staka, zhvilluan një vizitë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, nga ku u bë edhe prezantimi i drejtuesit të ri të kësaj zyre, pozicion në të cilin u emërua Albert Murçaj.
Drejtuesi i ri i gjykatës Albert Murçaj, u caktua në këtë pozicion, përmes procedurës së ngritjes në detyrë, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në mbledhjen plenare të dy ditëve më parë. Gjatë prezantimit, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi vuri në dukje se sistemi i prokurorisë, aktualisht, është në ditë të vështira, për shkak të largimeve nga procesi i vetingut, çka ka sjellë si pasojë dhe rritjen e ngarkesës së prokurorëve. Ibrahimi siguroi të pranishmit se Këshilli i Lartë i Prokurorisë, po ndërton një sistem vlerësimi të prokurorëve, i cili do të garantojë karrierën e tyre, bazuar kryesisht tek meritokracia.
Ndër të tjera, teksa vuri në dukje besimin e tij dhe përpjekjet e institucionit që drejton, për ngritjen e një sistemi karriere të qëndrueshëm për prokurorët, Ibrahimi theksoi faktin se prokuroritë kanë nevojë për një sistem elektronik të menaxhimit të çështjeve, i cili do të lehtësonte dhe përshpejtonte punën e organit e hetimit në tërësi. Ndërkohë, nga ana tjetër drejtuesi i ri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, Albert Murçaj, falënderoi Ibrahimin dhe Këshillin për vlerësimin, duke u shprehur me këtë rast se problematikat, me të cilat përballen sot zyrat e prokurorisë, duhen trajtuar sa më shpejt, pasi prokurorët duhet të ndihen të qetë se puna e tyre vlerësohet dhe garantohet.
Diskutime rreth kësaj post