Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, pas akuzave të këtij të fundit se ishte ish-Presidenti ai që inicioi djegien e mandateve në 2019-ën.
Nga Fieri Meta ka thënë se të gjithë shqiptarët e njohin Lulzim Bashën, madje e dinë që ai gënjen edhe kur fle gjumë.
“Edhe këtë e ka thënë Lulzim Basha. Normal unë mesa duket e kam iniciuar unë djegien e mandateve për t’i krijuar mundësin Edi Ramës që të kishte 130 deputetë që të më shkarkonte mua si president, akt që i duheshin vetëm 94 vota.
Se kush është Lulzim Basha, e dimë të gjithë, e dinë gjithë shqiptarët. Është njeri i braktisur dhe i përbuzur nga të tërë për aktet e rënda të vetëdijshme të tradhtisë që ka bërë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve duke lënë vendin pa opozitë, për shërbimet e pafundme të këtij regjimi.
Të gjithë e dinë që zgjedhjet vendore u shtynë nga presidenti Meta në atë kohë me kërkesë të Bashës dhe premtimin se do të hynte në zgjedhjet, datë të cilën e caktoi vetë. Atëherë si shpjegohet që e vetmja parti opozitare që nuk u regjistrua në KQZ ishte vetëm ajo e Lulzim Bashës, dhe pse iu kërkua vazhdimisht. Lulzim Basha dhe kur fle, gënjen”, tha Meta.
Diskutime rreth kësaj post