Pretendimet ishin pikërisht të tilla. Luiza Gega nuk e vuri në diskutim famën, si atletja “numër 1” e Evropës në disiplinën e saj të preferuar, duke fituar dy medalje të arta në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura.
Turneu u mbajt në Stamboll, dhe kampionia në fuqi e Europës, triumfoi në 1500 metra dhe në 3 000 metra.
“Veterania” 34-vjeçare nuk i vuri aspak në diskutim fitoret e saj, ndërsa në këtë Ballkaniadë mori pjesë vetëm për të shtuar numrin e medaljeve, për të marrë më shumë përfitime financiare, dhe për të testuar veten në prag të sezonit veror që do të jetë shumë I rëndësishëm.
Në të dyja garat, taktika e Gegës ishte për të sulmuar në xhirot e fundit, diçka që dha rezultat sidomos në 3 000 metra.
Edhe pse ishin 3-4 atlete pretendente deri dy xhiro para mbërritjes, atletja e kombëtares shqiptare bëri një shkëputje spektakolare duke e lënë vendin e dytë shumë sekonda prapa. Tashmë, Gega do të synojë të përgatitet për konkurrimet e verës.
Në qershor do të jetë kampionati europian, ku ajo do të mbrojë titullin kontinental në 3000 metra me pengesa, dhe në korrik e gusht mbahen Lojrat Olimpike në Paris, ku Luiza synon të jetë në 5 të parat po në 3 000 metra me pengesa.
Diskutime rreth kësaj post