Gdhendi emrin e tij dhe të fejuarës në Koloseum. Ministri i Kulturës i Italisë bëri thirrje për identifikimin dhe dënimin e të riut i cili u filmua duke gdhendur emrat në amfiteatrin e Romës, bën me dije Reuters.
Gennaro Sangiuliano shkroi në Twitter: ”Unë e konsideroj shumë serioze, të padenjë dhe shenjë të një pafytyrësie të madhe që një turist prish një nga vendet më të famshme në botë, një trashëgimi historike si Koloseumi, për të gdhendur emrin e së fejuarës së tij. Shpresoj se kushdo që e ka kryer këtë akt do të identifikohet dhe dënohet sipas ligjeve tona”.
Në Twitter ministri Italian shfaqte një imazh të paqartë të turistit si dhe një video që shihej duke përdorur çelësa për të gdhendur shkronja në një nga muret e amfiteatrit gati 2000-vjeçar. Mbishkrimi shkruante “Ivan+Haley 23″, sipas mediave italiane.
Nëse dënohet për një krim, i riu mund të përballet me një gjobë prej të paktën 15000 eurosh ose deri në 5 vjet burg”, sipas ligjit italian.
Një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2020, kur një turist irlandez u akuzua për vandalizimin e Koloseumit, pasi stafi i sigurisë e pa atë duke gdhendur inicialet e tij në strukturën e lashtë dhe e raportoi atë në polici.
Diskutime rreth kësaj post