Prej disa ditësh , qeveria ka ndërmarrë një nismë për të konfiskuar ndërtimet pa leje, ku për këtë çështje ka folur mbrëmjen e djeshme Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me 3fhm/Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila është gjendur para një pozite të vështirë.
Gazetarja e VOA, Keida Kostreci, ka “zënë ngushtë” Spiropalin, kur kjo e fundit i cilësoi ndërtimet pa leje si “një problem serioz të trashëguar”.
Kostreci i kujtoi ministres se mazhoranca është në mandatin e tretë në pushtet dhe i vuri në dukje se për këtë nuk mund të fajësojë opozitën.
Ministrja u justifikua se “kjo ishte një punë e bërë në vjimësi”, ndërsa sërish gazetarja ka ndërhyrë duke thënë se
“kjo nuk shpjegon faktin se pse aksioni nisi tani pasi këto ndërtime kanë marrë disa vjet”.
Gjithashtu, Keida Kostreci u ndal edhe tek dënimet sipas ligjit për ndërtimet pa leje dhe i përmendi rastin e 82-vjeçares që u arrestua për një kotec si ndërtim i paligjshëm.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka patur një debat të gjatë lidhur me një vendim të qeverisë sa u takon ndërtimeve pa leje. Për konfiskimin e tyre, ofrimin e mundësive ndërtuesve për të riblerë sipërfaqet pa leje me çmimin e tregut. Së pari, si ka mundësi që këto ndërtime janë lejuar të kryhen në vende shumë të dukshme të Tiranës? Në zona të populluara dhe si ka mundësi që policia, policia bashkiake, inspektoriatet për mbrojtjen e territorit dhe të mjedisit, pra e gjithë makineria shtetërore nuk ka vepruar për t’i parandaluar ato?
Elisa Spiropali: “Ne kemi një problem serioz të trashëguar sa u takon ndërtimeve pa leje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ç’ka ka sjellë ndërtimin e një agjencie të tërë. Në kushte normale nuk do të ishte e nevojshme. Agjencia e Legalizimeve tani e bashkuar me Kadastrën, e cila edhe ajo ka nisur një proces digjitalizimi për çështje të pronësisë. Kemi një ulje drastike të numrit të ndërtimeve pa leje. Për shkak të kontrollit dhe vëmendjes, që ne i kemi dhënë. Mund të kemi edhe raste abuzimi, të cilat duhen shqyrtuar dhe hetuar deri në fund”.
Zëri i Amerikës: Isha më shumë e interesuar për përgjigjen e qeverisë. Duhet të kemi parasysh se shumica që është tani në pushtet ka pothuaj 10 vite në qeverisje. Nuk besoj që të gjitha ndërtimet (pa leje) janë bërë në atë kohë.
Elisa Spiropali: “Nuk është vetëm çështje vitesh. Nuk po them që është vetëm çështje e qeverisë së mëparshme. Ky është një problem në vijimësi. Për ndërtimet pa leje dhe me zhvillimin e territorit. Ne e kemi patur përparësi mbrojtjen e territorit. Po të krahasosh shifrat e ndërtimeve pa leje si në Tiranë ashtu edhe në qytetet e tjera të mëdha. Sepse aty ndodhin për shkak të pagesave të larta dhe vlerës së shtuar të pronës. Shikon që kemi një rënie drastike. Ama ka edhe raste të tilla, të cilat ne duhet t’i adresojmë përmes një legjislacioni. Kjo që të frenojë, minimizojë, e pse jo, të zerojë mundësitë apo fitimet që vijnë nga ndërtime pa leje. Ky legjislacion, kjo VKM dhe të tjera që mund të nxjerrim në vijim bëjnë pikërisht këtë. I detyrojnë ata që kanë ndërtuar pa leje, që mos të vazhdojnë më të ndërtojnë e të fitojnë në këtë mënyrë. Siç kanë bërë para shumë vitesh dhe si janë mësuar të bëjnë, por në këtë kuadër të ri ligjor të mos kenë asnjë interes për të ndërtuar pa leje. Ne nuk jemi as prokurori as polici. Ata kanë të gjithë hapësirat që të bëjnë gjithë hetimet e tyre për mënyrën se si janë ndërtuar objektet pa leje”.
Zëri i Amerikës: Kjo që thatë nuk shpjegon faktin pse tani dhe këto ndërtime kanë marrë disa vjet. Në çfarë kuadri ligjor bazohet ajo që ata t’ia kalojnë qeverisë me një euro dhe pastaj t’ua blejë. Në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ka një nen ku flitet për konfiskim, por ju po shkoni përtej konfiskimit dhe po hyni në marrëdhënie financiare me ndërtuesit…
Elisa Spiropali: “Nuk është vetëm ai opsion, janë disa opsione, që rrjedhin nga ky VKM, apo vendime të tjera, që mund të pasojnë, dhe që zvogëlojnë në minimum hapësirën për ndërtime të tilla në të ardhmen. Ka ardhur koha që këto ndërtime të zerohen dhe që të kuptohet nga kushdo, i pasur a i varfër, biznesman apo qytetar i thjeshtë: nuk mund të ndërtohet më pa leje në Republikën e Shqipërisë. Drejt kësaj synojmë të shkojmë me mjete ligjore. Patjetër këshilli i ministrave i ka në dorë dhe është aty për të bërë këtë punë. Autoritetet e tjera që mund të kenë dështuar në kryerjen e detyrës së tyre duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Zëri i Amerikës: E kisha fjalën pikërisht tek kuadri. Duket se vendimi nuk përputhet me kuadrin ligjor. Dhe përtej kësaj, duket se ngrihet një marrëdhënie mes qeverisë dhe ndërtuesve, ndërkohë që Kodi Penal parashikon që këta ndërtues duhet të ndëshkohen.
Elisa Spiropali: “Nuk mund të gjykojmë kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. Nëse ka dyshime të tilla, ka autoritete dhe ka opozitë që mund ta çojë në Gjykatë Kushtetuese”.
Zëri i Amerikës: Por cila ishte nxitja e qeverisë në këtë rast?
Elisa Spiropali: “Kemi vetëm një synim. Vullenti ynë i plotë për t’i thënë Boll më dhe Ndal çdo ndërtimi pa leje. Jo vetëm pallat, por edhe kat, edhe shtesë, edhe aneks etj. këto janë bërë në masë. Ka një rënie drastike, për shkak të forcimit të ligjit, që ne kemi bërë. Por nuk janë zeruar dhe ne duhet të shkojmë drejt këtij zerimi”.
Zëri i Amerikës: Pse të mos ecet thjesht me atë që parashikon Kodi Penal. Që këta njerëz të ndëshkohen, se kështu përçohet edhe më tej mesazhi? Ka edhe raste në Shqipëri, si ai një gruaje mbi 80 vjeç në Shqipëri. Ajo kishte ndërtuar një kotec ne oborrin e shtëpisë së saj, policia ndërhyri. Ndërkohë që me pallatet duket sikur u jepet një shans këtyre ndërtuesve që të dalin nga ajo pozitë ku janë dhe përsëri të marrin disa të ardhura.
Elisa Spiropali: “Masat janë për të mbyllur çdo shans në të ardhmen, që njerëzit sado të fuqishëm të jenë, të mos u shkojë mendja që të ndërtojnë pa leje. Ky është synimi, ndërsa për mjetet, ka edhe një autoritete të tjera, ku mund të gjykohet kushtetueshmëria e një vendimi apo një ligji. Duhen parë mekanizmat që të çojnë drejt asaj rruge. Unë mund të flas për vullnetin politik, të këshillit të ministrave, të çdo ministri dhe të kryeministrit. Të cilët kanë prioritet mbrojtjen e territorit të Shqipërisë dhe zgjidhjen përfundmtare të çështjes së pronës përmes digjitalizimit të plotë të Kadastrës shqiptare. Së bashku me reformën në drejtësi do t’i japin mundësi zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe nxitjes së biznesit në vend”.
Diskutime rreth kësaj post