Motra e gazetares së njohur Sonila Meço, Rezi, ka arritur tashmë të jetë e para shqiptare në Këshillin Bashkiak në qytetin e Nurembergut në Gjermani.
Mes emocionesh, Sonila rrëfen suksesin e motrës së saj dhe ambiciet për të ardhmen.
Ja çfarë shkruan Sonila Meço për motrën e saj:
Thonë se çdo foto është një histori. E parë kështu, do meritonte veç finalen e një historie të gjatë pune, përkushtimi, sakrifice, dështimesh e suksesesh të një studenteje doktorature që në vitin 1998 vendosi të zhvillojë veten në Gjermani.
Kjo është Rez, motra ime. Dhe në këto foto është një histori:
PHD-ja e nisur në anglisht, duhej përfunduar në gjermanisht pa ditur asnjë fjalë, çdo vit ecuria e kualifikimit do të varej nga suksesi i eksperimenteve dhe sasia e publikimeve në revistat më të njohura të fushës.
Mbrojta do ta gjente mami të një vogëlushi 7 muajsh që ngatërronte provimet e studentëve me këmbkat e vogla në tryezën e punës.
Do ishte shqiptarja e stafit akademik të Universiterit të Erlangenit, do të mundësonte bursa studimi për shumë shqiptarë, do të organizonte ditët e Shqipërisë në Nuremberg, ato të Kadaresë në libraritë e Schëabach, do të angazhohej në bashkinë e qytetit në dhjetra projekte për integrimin e të huajve, do të drejtonte një nga organizatat më të rëndësishme në trajtimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme, derisa do të mbërrinte sot si e para shqiptare anëtare e Këshillit Bashkiak (SPD) të qytetit nga 1 janari 2018.
Dhe me premisën për të vijuar deri në parlamentin e Bavarisë.
Kjo është pjesa e dukshme, finalja e historisë së një shqiptareje që si shumë të tjerë ia del në Gjermani, atje ku njerëzit promovohen nëse punojnë, duan e guxojnë.
Kaq e thjeshtë, kaq e vështirë, sepse e merituar.
Ma bëre zemrën mal Rez!
Nuk di si do kish qënë jeta jote këtu, mua më merr malli sa një Zot e di e do të kisha dashur mëngjeseve të të qahesha ty për rrokopujën e këtij vendi, pasditeve të luaje me mbeskën tënde për të shkarkuar stresin e një dite me kusuret tona, e fundjavave të mblidheshim për një byrek të diele nga mami se e qan edhe kur s’ka drita, por vështirë se do të lumturohesha për çfarë merrje në këmbim nga gjithë ai përkushtim.
Nuk mundja dot edhe kësaj here të shmangia qejfin e krenarisë që ndjeja fëmijë kur i pohoja shoqeve: ‘Kjo është motra ime’.
Vetëm një merak kam, kujdes me lejet e ndërtimit, se si shumë gjelbërim ka Bavaria e çoku na pëlqejnë ne shqipove qendrat tregtare.
Diskutime rreth kësaj post