Gazetarja italiane, Francesca Masotti në blogun e njohur për promovimin e vendeve turistike “On the top of the world”, këtë herë ka zgjedhur Dhërmiun, një vend i mahnitshëm fshehur në Evropën Lindore, siç cilësohet në reportazhin e saj, për ta prezantuar.
“Një fshat i vogël në jug të Shqipërisë, mes Vlorës dhe Sarandës shtrihet Dhërmiu apo, siç e quajnë atë, “një pjesë të vogël e qiellit në tokë”.
Kështu e nis shkrimin Masotti, ndërsa fton ndjekësit të planifikojnë në këtë vend pushimet e tyre të ardhshme, duke qenë se vera kaloi.
Për të arritur në Dhërmi nga Vlora (si unë), shkruan ajo, ju duhet të merrni me qira një makinë . Pasi kaloni maloren e Llogarasë, Dhërmiu është plazhi i dytë më i madh që do të hasni kësaj rruge.
“Rruga dhe pamja përreth do t’ju lënë të pagojë. Kam udhëtuar nëpër të gjithë Evropën dhe kam parë shumë vende të bukura, por unë me siguri mund të them se Dhërmia ka pamjen më të bukur që kam parë ndonjëherë”, përshkruan Masotti.
Dhërmi, thotë ajo, është një destinacion madhështor. “Besomëni mua”, ju drejtohet ajo ndjekësve të saj. Nëse ju jeni në kërkim të pamjeve të mahnitshme, detit blu dhe plazheve të bukur, sipas Masottit,nuk ka vend më të mirë për të shkuar në Evropë.
Deti Jon është i mahnitshëm. Këtu ju mund të zgjidhni mes plazheve shkëmbore dhe atyre ranore. Të dy janë të mrekullueshëm. Noti në këto ujëra blu të qarta është i paçmuar!”, shkruan gazetarja italiane.
Më tej, Masotti prezanton edhe fshatin e Dhërmiut, i ndërtuar në mal. “Fshati është i mbushur me shtëpi tipike shqiptare, dyer me ngjyra, kisha të vogla ortodokse dhe kanione të mëdha. Nga Kisha e Shën Marisë ti mund të admirosh panoramën mahnitëse të gjirit të Dhërmiut. Pamja është spektakolare: ky është vendi i përsosur për të bërë fotografi”, thotë Masotti në reportazhin e saj.
Ajo shpreh bindjen se kushdo të vizitojë këtë vend do të bjerë në dashuri me të.”Është i paharrueshëm”. Me këtë përshtypje e mbyll Masotti udhëtimin në Dhërmi.
Fotografitë: Francesca Masotti.
Diskutime rreth kësaj post