Në Tiranë, Unioni i Gazetarëve publikoi një raport, ku thuhet se vetëm në 4 muajt e këtij viti gjyqtarë, politikanë dhe zyrtarë të lartë kanë hapur 13 procese gjyqësore kundër gazetarëve me akuza për shpifje dhe dëmtim imazhi.
Nga ana tjetër, Unioni thotë se shumica e gazetarëve punojnë në kushte të vështira, pa kontrata pune dhe me paga minimale, që shpesh vonohen për disa muaj.
Raporti përshkruan gjendjen aktuale të shtypit, ku përfshihen një mori problemesh serioze të komunitetit të gazetarëve dhe të realitetit mediatik shqiptar.
Drejtuesi i Unionit, Aleksandër Çipa, tha se “dukuri shqetësuese janë shkarkimet pa arsye të gazetarëve nga puna në media vendore dhe ato kombëtare si edhe lëvizja e shpeshtë e gazetarëve nga njëra media në tjetrën, në kërkim të respektit ndaj parimeve dhe dinjitetit profesional”.
Por, dukuria më e rëndë janë, sipas tij, 13 proceset gjyqësore të politikanëve kundër gazetarëve për shpifje dhe dëmtim imazhi vetëm në 4 muajt e fundit.
Raporti bën një përshkrim të detajuar mbi vonesat disa-mujore e pagave të gazetarëve dhe madje mospagimin e tyre për shumë produksione televizive apo shtypshkrimesh.
Zoti Çipa tha se “kjo dukuri e dhimbshme e mospagimit apo zvarritjes së pagave ka prekur shumicën e mediave”.
Mediat shqiptare kanë aktualisht afro 6 mijë e 200 punonjës, nga të cilët vetëm 2 mijë e 600, ose 1/ 3 e tyre janë gazetarë me kohë të plotë nëpër redaksi shtypi, ku vetëm një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kontrata pune as individuale as kolektive me pronarët.
Drejtuesi i Unionit, Aleksandër Çipa foli me shqetësim edhe për ndalimet, censurën dhe autocensurën që pengojnë raportin e lirë dhe veprimtarinë e gazetarëve shqiptarë.
Sipas tij, gazetarët janë aq shumë nën presion dhe nën censurë sa nuk guxojnë të pasqyrojnë as raportet vendase dhe ndërkombëtare mbi shkeljen e lirisë së fjalës, madje ata bojkotojnë edhe mbledhjet ku trajtohen me shqetësim vështirësitë dhe mungesat minimale në punën e vet reporterëve.
Gjatë muajve të parë të këtij viti kanë lëvizur nga mediat ku punonin 16 gazetarë vendorë dhe 62 në shkallë kombëtare, mësë shumti në Fier, Vlorë, Sarandë, Lezhë dhe Gjirokastër.
Pagat u janë vonuar për disa muaj gazetarëve në Korçë dhe Durrës, Lezhë, Sarandë nga televizionet dhe gazetat më të mëdha të kryeqytetit.
Midis tyre ka edhe gazetarë që nuk kanë marrë ende deri në 10 paga të zvarritura, edhe pse gazetarët vendorë paguhen në shuma minimale.
Televizionet vendore dhe televizioni publik janë më të rregulltit me pagat.
Ndërkohë shumë tv, radio dhe gazeta vendore kanë falimentuar, po mbyllen dhe po shndërrohen në media online, si në Korçë, Pogradec, Sarandë, Elbasan, Lezhë, Durrës dhe Fier.
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë është organizata kryesore si burim referues për shumicën e raporteve periodike ndërkombëtare, që hartohen për indeksimin e lirisë së medias në Shqipëri.
Diskutime rreth kësaj post