“Dua 1 mijë euro, po deshe të të kthej profilin në ‘Facebook’”. Një 16- vjeçar i është përgjigjur në këtë formë zotërueses së një profili në rrjetin social në internet, së cilës i kishte marrë fjalëkalimin. Nga ana tjetër, e dëmtuara Romina K., punonjëse në një televizion kombëtar në Tiranë, nuk e ka lënë me kaq, por e ka kallëzuar “hajdutin” e faqes së saj në polici. Veprimet e mëtejshme kanë zbuluar se autori i vjedhjes së faqes së saj ishte Kristi S.
Ai u procedua penalisht dhe përfundoi si i pandehur në gjykatë për akuzën e “ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës e deklaroi atë të fajshëm dhe e dënoi me 4 muaj heqje lirie.
Përfundimisht, Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e të riut, aktualisht 19 vjeç, në liri me kusht për një periudhë 2- vjeçare. Sipas vendimit të Gjykatës, më datë 10 korrik 2014, Romina K., punonjëse pranë një televizioni publik në Tiranë, ka bërë kallëzim penal, pasi persona të paidentifikuar prej saj kanë ndërhyrë në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, me emrin “Tifozët Gjermanë”.
Në komunikimin që ka pasur me personin e dyshuar, ky i fundit i ka thënë që duhej të paguante shumën 1000 euro për t’i kthyer profilin e marrë. Mes të tjerash, shtetasja Romina K. ka deklaruar se pas bërjes së kallëzimit, ka bërë verifikim dhe ka mësuar se përdoruesi i faqes ishte lidhur me një profil tjetër. Duke ndjekur këto iniciale, shtetasja Romina ka konstatuar se ky profil ishte i lidhur me faqen “Seria A. shqip” dhe në këtë faqe ishte emri A.N. Bazuar në këto të dhëna, punonjësit e policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe pyetjen e tij.
Mes të tjerash, ai ka deklaruar se njeh një person me emrin Kristi S., i cili i ka dorëzuar një njësi kompjuterike. Nga ekspertimi i kësaj njësie, është provuar se prej saj është vizituar profili “Tifozët Gjermanë”.
Diskutime rreth kësaj post