Bumi turistik të Shqipërisë i ka bërë përshtypje edhe portalit njohur “Emerging Europe”, media londineze online e fokusuar tek mbështetja e progresit të bazuar tek risitë që afrojnë me vlerat europiane, rajone të ndryshme të Euroazisë, ndër të cilat edhe Europa Juglindore.
Në një artikull të gjatë, kjo media i bën jehonë 5 plazheve të jugut të vendit pak të njohura për të huajt, që i konsideron si mrekulli natyrore që ofrojnë përvoja unike dhe kujtime të paharrueshme larg turizmit masiv.
E nis me plazhin e Gjipesë, që e përshkruan si parajsë për adhuruesit e natyrës, me pamje piktoreske. Një gji i veçuar që arrihet vetëm me varkë ose më këmbë, që ofron ujëra të kristaltë dhe një peisazh të paprekur, mes shkëmbinjve, raporton TV Klan.
Pas tij renditet plazhi i Ksamilit, një thesar që nuk është më i fshehur, me rërën e bardhë dhe ujërat e kristaltë, ku plazhi mund të bëhet edhe në mjedise të izoluar në 4 ishuj të paprekur që arrihen edhe me not.
Eksperiencë autentike, sipas “Emerging Europe” ofron edhe plazhi i Gjirit të Akuariumit. Bregdeti i këtij plazhi ofron një shtrirje të paprekur me peizazhe spektakolare, me ujëra të pastër kristal të rrethuar nga ullishte dhe selvi. Mund të shijohen edhe shëtitje të qetë përgjatë bregut, restorante me gatime deti në Himarën që ndodhet shumë pranë.
Për Jalën, “Emerging Europe” shkruan se plazhi me një bukuri të paprekur ofron një ndjenjë qetësie që rrallë gjendet në pikat më të njohura turistike, me një sfond pyjesh të dendur me pisha dhe kodra piktoreske. Vizitorët ftohen të vizitojnë edhe vendet arkeologjike aty pranë si Kalaja e Himarës.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Palasës, që përshkruhet si parajsë e vërtetë, me një plazh të rrethuar nga malet me bimësi të dendur dhe që ofron një përzierje befasuese të peizazheve të thyer dhe ujërave me një ngjyrë blu të thellë. Bregu i artë me rërë shtrihet me kilometra, duke ofruar hapësirë të mjaftueshme për vizitorët që të çlodhen dhe të kënaqen me aktivitete të ndryshme ujore. Artikulli u rekomandon vizitorëve të mos e humbasin mundësinë për të ecur deri në Parkun Kombëtar të Llogarasë, për të parë pamjet mahnitëse panoramike që ofron nga lart, bregdeti.
Diskutime rreth kësaj post