Familja franceze e miliarderit Bernard Arnault dhe grupi i tij i mallrave luksoze LVMH do të dhurojnë 200 milionë euro për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales Notre-Dame të Parisit.
“Familja Arnault dhe grupi i LVMH dëshirojnë të tregojnë solidaritetin e tyre këtë herë të tragjedisë kombëtare dhe po bashkohen për të ndihmuar në rindërtimin e kësaj katedrale të jashtëzakonshme, e cila është një simbol i Francës, i trashëgimisë së saj dhe i unitetit francez”, është thënë në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, më herët mediat kanë raportuar se një nga familjet më të pasura të Francës iu është përgjigjur menjëherë thirrjeve të presidentit të vendit për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales dhe ka premtuar 100 milionë euro për të rindërtuar ikonën e Parisit.
“Babai dhe unë vendosëm që menjëherë të nxjerrim nga fondet e Artemis një shumë prej 100 milionë euro për të marrë pjesë në përpjekjet që do të jenë të nevojshme për rindërtimin e plotë të Notre Dame”, tha François-Henri Pinault, në një deklaratë të cituar nga Le Figaro dhe media të tjera franceze, përcjell Telegrafi.
I riu z. Pinault është kryetari dhe drejtori ekzekutiv i grupit Kering, i cili kontrollon markat e tilla luksoze si Gucci dhe Saint Laurent.
Ai gjithashtu është president i Groupe Artemis, kompani franceze që zotëron shtëpinë e ankandit Christie.
Katedralja e Parisit, Notre Dame, e cila është përfshirë nga zjarri ku si pasojë është shembur çatia, konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të arkitekturës gotike të Francës.
Ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 1160, kurse pjesa më e madhe e saj kishte përfunduar saktësisht 100 vite më vonë.
Vetë kisha nga proporcione impozante, në veçanti në kohën kur ishte ndërtuar – ajo është e lartë 128 metra, e gjerë 48 kurse kullat e kambanave janë 69 metra të larta. /Telegrafi
Diskutime rreth kësaj post