Kanë filluar tashmë të forta ethet për garën e zgjedhjeve lokale në Tiranë, me një Veliaj që i është imponuar Ramës me rikandidimin e tij, heshtjen djallëzore të kryeministrit si edhe diversionit që i vjen nga Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Këtij aliazhi spekulimesh dhe diversioni i është shtuar sot edhe lajmi se konkurrente e Veliajt për Tiranën në sytë e Ramës është edhe ministrja e Shëndetësise, Ogerta Manastirliu.
Kjo e fundit është njeriu i Saimir Tahirit dhe e besuar e Ramës njëkohësisht, por me ambicie të kontrollueshme, ndryshe nga Veliaj.
Është pikërisht ky fakt që i jep krahë idesë se ajo është asi nën mëngë e Ramës për Tiranën duke zbythur kështu përfundimisht Erion Veliajn, i cili në fund të një mandati të dytë në Tiranë do ta kishte një kafshatë të lehtë kryeministrin aktual të rraskapitur nga korrupsioni galopant, shërbimi pa rezerva ndaj oligarkëve dhe kostove të mëdha që të jep pushteti tetë vjeçar, shkruan Albeu.com.
Nga ana tjetër, deklaratat e Monika Kryemadhit se Veliaj ka punuar mirë për Tiranën dhe se ishte 50/50 për ta votuar ose jo më shumë se një miratim për kryebashkiakun aktual duken si një diversion në të majtë për të zgjuar tek Rama paranojen se Veliaj po bashkëpunon me Metën kundër tij.
Jo rastësisht, sot ka patur edhe dy zhvillime aspak të parendësishme Berisha e shpall Manastirliun si kandidaten e Ramës për Tiranën, ndërsa i shpërthen edhe skandali i plagjiaturës së doktoraturës, gjë e cila në vendet perëndimore do të përkthehej me fundin e karrierës.
Të gjitha këto nuk duken aspak të rastësishme në një realitet politik intrigash, diversionesh, pazaresh dhe shantazhesh të Tiranës ku gara për kryqytetin nuk do të jetë më çështje kampesh politike, por grupacionesh me interesa të forta financiare si edhe inatesh brenda të majtës.
Janar pritet të fillojë vrullshëm me skandale të tjera, kësaj radhe të sponsorizuara nga të majtët për të majtët! /albeu
Diskutime rreth kësaj post