E hëna është afati i fundit për partitë politike që të korrigjojnë listat e kandidatëve për deputetë. Partia Socialiste mësohet se ka bërë korrigjimet e nevojshme dhe ka dorëzuar dje në KQZ dokumentet shtesë bashkë me një ndryshim në listën e Elbasanit duke respektuar në këtë mënyrë kuotën gjinore. Ndërkohë Partia Demokratike nuk ka bërë ende asnjë lëvizje, pasi problemi më i madh i saj është se ka shumë emra në lista. Sipas ligjit, nuk mund të ndryshojë renditja e kandidatëve, përveç rasteve të caktuara kur kërkohet nga KQZ nëse nuk respektohet kuota gjinore.
“Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pa regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji përpërllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtiligjor për kuotën gjinore”, thuhet në ligj. Sipas llogaritjeve që ka bërë KQZ, Partia Demokratike ka dorëzuar më shumë emra sesa duhet dhe për këtë arsye janë rreth 60 emra që duet të ikin. Nëse lexojmë me kujdes Kodin Zgjedhor, PD duhet të heqë emrat në fund të listës së secilit qark. Ajo që bie në sy është se do të mbeten jashtë pjesa dërrmuese e emrave që vinin nga Forumi Rinor. Disa nga emrat e FRPD që ikin janë: Artjon Bajramaj, kryetar i FRPD Durrës; Avzi Ahmati, Kryetar i FRPD Paskuqan; Denisa Vata, Kryetare e FRPD Mat ; Jeton Kaloshi, Kryetar i FRPD Dibër; Megi Balliu FRPD Elbasan; Demush Kastrati Kryetar i FRPD Has; Engjelina Basho Anëtare e Kryesisë FRPD.
Kreu i KQZ, Ilirian Celibashi ka deklaruar se sipas ligjit secila parti duhet që të dorëzojë 153 kandidatë. “Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë iplotpjesëtueshëm me numrin tre. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati”, thuhet në ligj. Ndërkohë edhe shumë parti të tjera kanë pasur probleme të shumta me dokumentacionin, që u janë kthyer mbrapsht.
Ajo që bie në sy është se disa kandidatë kanë pasur vështirësi në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Duke qenë se PS dhe PD i lanë për në momentin e fundit listat, shumë dokumente kanë kaluar pa verifikuar. Rezulton se disa kandidatë nuk i kanë plotësuar të gjitha faqet e formularit të dekriminalizimit, ndërsa disa të tjerë i kanë plotësuar gabim. Kjo ka ndodhur nga emrat e rinj, pasi ata që kanë pasur mandat deputeti janë ambientuar. Ndërkohë mesa është publikuar deri më tani disa kandidatë rezultojnë të dënuar, ndërsa do të jetë KQZ ajo që do të përcaktojë nëse ndalohen nga ligji apo jo.
Dje ishte kryeministri Rama që foli nga Durrësi për një person që është përfshirë në trafiqe dhe që kandidon nga PD. Ndërkohë që një emër ka dalë dhe nga LSI. Ajo që bie në sy është se pavarësisht thirrjeve të amerikanëve, bota e krimit ka arritur të depërtojë në politikë. Kjo do të thotë se lista e kandidatëve pritet të ndryshojnë. Nëse KQZ konstaton emra që nuk duhet të kandidojnë atëherë ai largohet dhe emrat pas tij zbresin në renditje. Ndërkohë në pikëpyetje të madhe është Tom Doshi. Në ligj ka një nen që flet për dëbimin dhe ky përcaktim mund ta djegë.
Diskutime rreth kësaj post