Nga Ervis Iljazaj*
Është e qartë tashmë, se qëllimi i vërtetë i protestës së Partisë Demokratike është forcimi i Lulzim Bashës si lideri i saj dhe mobilizimi i anëtarëve në prag të zgjedhjeve parlamentare. Në këtë kuptim, ajo është një protestë fasadë.
Edhe pse Lulzim Basha nuk lë rast e studio televizive pa theksuar që Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa idenë e rrezikshme të qeverisë teknike, në të vërtetë, partia e tij është de facto në fushatë elektorale.
Nëse dëgjojmë me kujdes të gjithë retorikën e përdorur nga Lulzim Basha në “ çadrën e lirisë”, është fare e lehtë të kuptosh, që Partia Demokratike ka nisur që më 18 Shkurt fushatën e saj elektorale. Asgjë tjetër përveç thirrjes së dëshpëruar të popullit për të shpëtuar gjendjen në të cilën ndodhet ajo sot, nuk tregon kjo protestë.
Duket qartë pra, që lideri i opozitës kërkon popullin, kërkon mbështetjen e tij për partinë që ai drejton dhe jo garantimin real të votës së lirë. Nëse do të ishte kështu, Lulzim Basha do ta kushtëzonte votimin e Reformës në Drejtësi me reformën zgjedhore, qoftë edhe me votimin elektronik. Ndërkohë, nuk ndodhi kështu. Kjo do të ishte rruga më e drejtë për të zgjidhur dy problemet më të mëdha që shqetësojnë qytetarët shqiptarë sot. Por, ai nuk veproi në këtë mënyrë, pikërisht duke menduar këtë ditë. Duke menduar çadrën që tani po e përdor për të nisur fushatën elektorale sa më shpejt të jetë e mundur.
Sepse ai e di mjaft mirë, si jurist i shkëlqyer që është, që garancitë e votës së lirë nuk i zgjidh rruga, por ligji dhe zbatimi i tij. Këto janë garancitë e vërteta. Drejtësinë nuk e bën Partia Demokratike, por zbatimi i Kushtetutës që është duke u bllokuar pikërisht sepse Partia Demokratike është e impenjuar me fushatën e saj elektorale. Duhet ta pranojmë, që në kushtet e vështirësisë në të cilën ndodhej mbështetja për partinë e tij, por edhe pozicioni i tij si lideri i saj, kjo është një strategji perfekte nga ana e tij. Megjithatë, është e dëmshme dhe po rrezikon të çojë vendin në një krizë totale institucionale dhe politike. Kjo u pa qartë nga mungesa e anëtarëve të Partisë Demokratike në Ngritjen e Komisionit të vettingut. Një e drejtë kushtetuese e saj, por mbi të gjitha një detyrim në zbatim të saj. Logjika prej “kamikazi” që me “bombë” në dorë hedh në erë gjithçka që ndodhet përreth tij, ka hyrë tashmë në të gjithë strategjinë e tij politike.
Ndryshe nuk do të shpjegohej deriva e tij populiste, e cila nuk kërkon zgjidhje politike për garancitë e votës dhe drejtësinë, por ndryshimin e një palë me një pale tjetër politike. Ky është tërësisht një diskurs politik i denjë për fushatat elektorale konstante dhe jo i një vullneti real për të siguruar zgjidhje ligjore dhe institucionale që shqetësojnë qytetarët shqiptarë.
Një fushatë që ka filluar kohë më parë dhe në mënyrë të pandershme, duke qenë se ajo ende nuk ka filluar zyrtarisht. Dhe në këtë mënyrë Lulzim Basha ka zaptuar të gjitha hapësirat publike në media, edhe pse i akuzon shpesh ato si të blera. Nëse nuk e kanë kuptuar ende kundërshtarët e tij politikë duhet të fillojnë ta rimendojnë. Sepse në të vërtetë Kryetari i opozitës ka bllokuar çdo proces politik për arsye të përfitimeve elektorale të partisë së tij.
Përdorimi i një fjalori i cili duket si një kopje e shëmtuar e Presidentit amerikan Donald Trump, duke filluar që nga sulmet ndaj gazetarëve e deri te ideja e Republikës së re, që në të vërtetë nuk dihet se çfarë është, e bën atë të jetë një hap para kundërshtarëve të tij në funksion të mobilizimit të militantëve të partisë. Sepse “çadra e lirisë”, nuk është gjë tjetër veçse një paradë e organizatave partiake të saj. Është më se e qartë, që protesta e tij nuk krijoi besim te qytetarët dhe si e tillë ngeli një lëvizje kombëtare në tentativë.
Duhet t’i shpjegojnë liderit të opozitës, që Republika e re nuk ngrihet duke rrëzuar një qeveri legjitime duke shkelur kështu një nga parimet themelore të demokracisë, por nga bashkëpunimi dhe marrëveshja midis palëve politike. Në të kundërt, vullneti i tij për zgjedhje të lira dhe të ndershme apo drejtësia që pretendon se do ta realizojë partia e tij janë “fake news”.
*Pedagog UET
Diskutime rreth kësaj post