Analisti i njohur Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e bujshme në politikën shqiptare pas kërkesës së SPAK për të arrestuar ish-ministrin socialist Arben Ahmetaj. Çupi shkruan se në këto situata nuk mund të gëzohesh as të brohorasësh pse dikush, edhe pse rrënues i fateve njerëzore, futet në burg, pasi në fund të fundit po realizohet drejtësia. Ai gjithashtu shprehet se kjo është sjellje me origjinë Islamiste, ka lidhje me interesa false. Çupi heq një paralele dhe me arrestimin e Fatos Nanos në vitin ’93. Analisti tregon historitë e disa fshatarëve që uleshin para derës ku ai punonte në atë kohë dhe lumturoheshin me prangosjen e Fatos Nanos. Sipas tij e njëjta gjë do ndodhë dhe me Berishën. Ata që sot i shkojnë pas Berishës si ‘militantë’, nesër do t’i shkojnë te 313 të lumtur pse e pësoi ai, sepse aty mbaron interesi- sipas tyre.
Arrestimi i Ahmetajt
“A të lumturohemi pasi tjetri të mbyllet në burg, qoftë edhe armiku yt? … Atë ditë që do të vihet para gjykatës Sali Berisha, atë ditë ka mbaruar puna me këtë njeri. Flas për vete; por besoj se edhe për disa pak të tjerë. Nuk mund të gëzohesh as të brohorasësh pse dikush, edhe pse rrënues i fateve njerëzore, futet në burg. Nuk mund të gëzohesh, sigurisht, por ndjehesh i realizuar me drejtësinë tënde dhe të vendit tënd. Këtu mbaron gjëja. Aq më pak mund të gëzohesh pse Arben Ahmetaj, ish- zëvendëskryeministër, i cili ka bërë një milionë herë më pak të keqe se ai i pari që përmenda. Po lexoj ‘popullin’ e internetit, po lexoj gazetarë e analistë që po u plasin fjalët nëpër duar nga gëzimi që Arbeni i hyri rrugës së burgut. Me thënë të vërtetën Arbeni është nga ata tipa që nuk të gëzon as kur bëhet ‘i madh’ e as kur shkon ‘për lesh’. Aq më pak mund të gëzohen për pastruesen e asaj familjes që lidhej, edhe ajo, me zyrën e Ahmetajt, e cila gjeti ca mijëra euro në tubin e sobës”, shkruan ndër të tjera Çupi.
Historia me Fatos Nanon
Çupi është rikthyer pas në kohë dhe ka treguar bisedat e fshatarëve që shisnin presh para punës së tij kur u arrestua Fatos Nano. “E kam përjetuar këtë situatë në mënyrën më të egër atyre viteve të errëta të nisjes së pisllëkut që u quajt ‘demokraci’ nga viti 1993. Para dyerve të gazetës ku punoja (KJ) uleshin disa fshatarë e shisnin dy presh që kishin. Njëri prej tyre, me vetëm një dhëmb në gojë dhe i tkurrur si një patate e tharë në tym, qeshte me sy e me buzë dhe kafshonte një presh me kripë. “Hë, mirë ia bënë qenit, aty e pafsha, në burg!’, shqiptonte. Fliste për Fatos Nanon, Fatosi ishte burgosur nga Saliu një ditë më parë. Po pse, vallë, është instaluar kjo edukatë makabre kur tjetri gëzohet për fatkeqësinë e tjetrit? Ja i burgosën Arbenin ose Saliun!… Në rregull, kaq është. Ti njeriu që vuajte nga sjellja e tyre, tani thjesht u realizove, jo se u lumturove. Nuk u lumturove, o njeri, me burgun e tjetrit; thjesht fitove drejtësinë që të takon”, shprehet Çupi.
Reagimet nga opozita pasi Berisha të arrestohet
Sipas Çupit dhe militantët që e ndjekin tani Berishën, në momentin kur të arrestohet do të jenë të lumtur që e pësoi. “Përveçse kjo është sjellje me origjinë Islamiste, ka lidhje me interesa false. Ata që sot i shkojnë pas Berishës si ‘militantë’, nesër do t’i shkojnë te 313 të lumtur pse e pësoi ai. Sepse aty mbaron interesi- sipas tyre. Ky reagim, me të drejtë, edhe në gjuhë të tjera të botës, ka marrë emrin ‘reagim i poshtër’. Të ndihesh i lumtur në kurriz të humbjeve të dikujt tjetër është një emocion që psikologët e quajnë ‘schadenfreude’, një fjalë gjermane që kombinon fjalët dëm (schaden) dhe gëzim (freude). Emocionet që përjetojnë njerëzit këto ditë, sa për z. Ahmetaj aq edhe për z. Rraja në Fushë- Krujë shkaktohen për disa arsye. Njëra arsye është se tjetri përballë është ‘asimiluar’, dhe kjo shkakton triumf. Por, fshehurazi, individi duke parë që ‘në kuzhinën e fqinjit ka rënë zjarri’, dhe këta kërkojnë kontrast me fatin e tjetrit. A ka shumë njerëz në shoqërinë tonë që kanë bërë të njëjtën gjë si z. Ahmetaj, si zonjusha e eurove në tub, si z. Rraja, etj?. Sigurisht që ka, madje po ëndërrojnë. Shoqëria jonë, e goditur nga sjelljet politike triable të pas- viteve 1992, kur të gjithë i hynë vjedhjes dhe dhunimit, sot ndodhet në një gjendje të helmuar. Pse bërtasin eksponentët e opozitës kundër ‘korrupsionit’? Pse dikush, madje dy prej tyre, bënë thirrje që Ahmetaj të shkonte sa më shpejt në burg; ndërsa tjetra thërriti ‘O Ben, spiuno shokët e tu socialistë!’. Njëra ishte Tabaku e tjetra Bardhi. Sjellja e opozitës është sjellja e grupit ‘të lumtur’ ndaj fatkeqësisë së tjetrit. Janë të lumtur jo veç pse po e ‘shikojnë poshtë’ atë tjetrin. Në rastin e atyre që janë mësuar me duar në xhepat e të tjerëve, siç janë këta të PD, këta janë inatçorë pse ‘Beni po vjedh’ e nuk po ‘ i vjedh unë’ ato që vjedh Beni. Këta kanë rënë në emocionin e fatit të tjetrit, por jo se janë ndryshe nga ai”, përfundon shkrimin Frrok Çupi.
Diskutime rreth kësaj post