Plot 26 gjyqtarë dhe 9 prokurorë kanë dhënë dorëheqjen kohët e fundit për t’i shpëtuar vetingut. Gazeta ka siguruar të dhënat e raportuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vitin 2020 dhe pjesën e parë të vitit 2021.
Konkretisht, gjatë 2020 kanë braktisur punën me frikën për të dalë para vetingut 16 gjyqtarë dhe 6 prokurorë, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti janë dorëhequr 10 gjyqtarë dhe 3 prokurorë. Pra, siç shihet nga këto shifra numri i punonjësve të drejtësisë që i janë shmangur vetingut është i lartë, duke marrë parasysh se në total, që nga fillimi i procesit të vetingut, janë mbi 60 të dorëhequr për të njëjtën arsye.
“Përfundime në lidhje me dorëheqjet e paraqitura nga gjyqtarët përgjatë vitit 2020, nga ku rezulton se janë miratuar: 16 akte administrative individuale për mbarimin e statusit të gjyqtarëve për shkak të paraqitjes së dorëheqjes”, – raporton KLGJ.
Ndërkohë, ajo që bie në sy është se të gjithë ata kanë dhënë dorëheqjen gjatë procesit të vetingut. Sipas ligjit për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPK pasi ka mbyllur hetimet paraprake dorëzon barrën e provës për secilin nga magjistratët, për t’i dhënë mundësi të argumentojnë gjetjet, si dhe për t’iu lënë kohë subjekteve nën hetim që të mbledhin materiale për të justifikuar provat e KPK.
Pikërisht nga kjo fazë ata kanë përfituar duke dhënë dorëheqjen për të ndërprerë kështu vijueshmërinë e procesit të vetingut për ta. Të dhënat tregojnë se, të 26 gjyqtarët dhe 9 prokurorët kanë dhënë dorëheqjen gjatë viteve 2020-2021pasi kanë parë që në dosjet e KPK për ta evidentohen probleme me pasurinë apo profesionalizimin.
Magjistratët shmangin hetimet
Arsyeja e dorëheqjeve duket se lidhet me frikën e hetimeve. BE, SHBA dhe qeveria kanë kërkuar nga SPAK që të hetojë të ngelurit në veting dhe shumë emra që e dinë se mund të bien në rrjetën e SPAK, japin dorëheqjen duke mos ekspozuar pasuritë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bazuar në ligj ka vendosur që, për të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqjen të bëhet përjashtimi nga sistemi i drejtësinë për 15 vjet, çka i pengon ata të bëjnë një tjetër punë në lidhje me drejtësinë. Po sigurisht që kjo nuk iu ka pëlqyer këtyre të fundit, prandaj pak kohë më parë ata kanë apeluar këtë vendim, duke kërkuar që mos të ketë pezullim për një kohë aq të gjatë.
Kjo pra është një tjetër strategji e tyre për të gjetur sërish punë pas ca kohësh, pa kaluar nën filtrat e vetingut si shumë nga kolegët e tyre. Këta gjyqtarë dhe prokurorë e dinë që pas dy apo tre vitesh vetingu do të përfundojë, kështu ata i lënë vetes hapësirë për t’u rikthyer në sistem. Por, KPA nga ana e saj nuk e ka pranuar ankesën e tyre, duke iu dhënë të gjithë të dorëhequrve një tjetër goditje të fortë.
Diskutime rreth kësaj post