Nga Mero Baze
Fjalimi i Rigertës në Kuvend ishte kundër qeverisë. Ishte kundër qeverisë në formë, në përmbajtje dhe patetizmin e saj. Problemet e fshatit janë përgjegjësi e qeverisë. Natyrisht që ato janë probleme të akumuluara për 27 vite, por aktualisht ato janë sfidë e qeverisë, e kësaj qeverie që ka nisur vitin e pestë të saj.
Është e vërtetë që ajo nuk foli as për vizionin e saj për fshatin dhe as për gjithë problemet e fshatit shqiptar. Ajo foli për disa halle të fshatit, për problemet që ndesh një njeri i zakonshëm atje. Askush më shumë se qeveria nuk ka përgjegjësi për to.
Por çudia është se nga fjalimi i saj u revoltua opozita. Dhe jo persona afër saj, por vetë kryetari i opozitës dhe nënkryetari i Kuvendit. I vetmi që nuk ka reaguar është Berisha, i cili me siguri turfullon me diletantizmin e pasardhësve të vet.
Kjo është më shumë se sa qesharake, banale, vulgare dhe tregon se çfarë lidershipi idiot i ka rënë në pjesë opozitës.
Kjo opozitë që i është bashkuar çdo kauze banale në vend, që nga halli i furgonave “8 plus 1” para katër vitesh, deri tek halli se mos ndërtohej një kënd lojrash për fëmijë, jo vetëm që refuzon një tablo të errët sociale të fshatit shqiptar, por sulmon me një gjuhë të ndyrë, atë që e prezanton këtë tablo.
Kjo duhet të jetë opozita e vetme në botë, që kur një qytetar i zakonshëm vizaton një pamje të zymtë të realitetit ngrihet e proteston kundër qytetarit.
Po përse ndodh kjo?
Ajo që shqetëson Lulzim Bashën nuk është realiteti i zymtë i Shqipërisë në fshat dhe më tej, por fakti se mos dikush i vjedh “opozitën”. Fakti që Rigerta u bë popullore me fjalimin e saj, me një gjuhë krejt të ndryshme nga e opozitës dhe me shumë here më pak mundim se spitullaqet e tij që bëjnë prova para pasqyrës, duket se e ka futur në panik.
Ideja e tij nuk është të bëjë opozitë, por ti rrijë si gjahtari në pritë, kur të vijë vetë gjahu dhe ta marrë si trofe. Ai mendon se duhet luftuar çdo element opozitarizmi në vend që nuk është pjesë e tij.
Ky është profili i një lideri që nuk i intereson opozitarizmi, por opozita zyrtare, ajo që ka vulën dhe firmën e opozitës. Atij nuk i intereson halli i Kristinës që s’ka rrugë dhe ujë, halli i fshatarëve që nuk dinë ç’të bëjnë me tej me jetën e tyre në fshat, por halli i tij se mos ata bëhen një zë më i fuqishëm se Basha në opinionin publik.
Unë nuk u preka nga fjalimi i Rigertës. Madje as nuk u emocionova. Po jo për arsye politike. Unë shkoj në fshat dhe kam parë halle shumë më të mëdha dhe drama të njerëzve në fshat që të lënë pa frymë. Fshati shqiptar është i mbushur me pleq dhe plaka që dergjen vetëm pa njeri, me fëmijë në emigracion, pa infermiere në fshat, që nuk kanë provuar prej vitesh as një kokërr aspirine, që vdesin vetëm në shtëpi dhe i gjen pas disa ditësh. Kam parë të rinj që të shikojnë në sy si t’i shpëtosh nga ai ferr duke u gjetur një punë a mundësi larg fshatit, prindër të moshës thyer që nuk ja dalin dot të mbajnë askënd pranë vetes për të mbajtur bagëtitë ose për të punuar tokën. Në fshat ka drama të forta sociale larg syve të publikut, dhunë në familje, përdhunime, uri seksuale, divorce të dhunshme dhe frustrime që të lënë pa frymë. Fshati shqiptar është në agoni dhe do zgjidhje. Ai do investitorë të rëndësishëm ta rikthejnë jetën atje. Ai duhet të bëhet kapitalist, pasi dështoi forma komuniste e kooperativave.
Rigerta nuk jep zgjidhje dhe nuk është për atë punë. Ajo maksimalisht mund të bëjë një fermë me dhi, siç ka bërë dhe mund të qajë nga mërzitja siç qau. Mua as aq nuk ma mban të bëj. Dështimin e ke tek dera.
Zgjidhje duhet të japë politika dhe në këtë rast njeriu që duhet të ishte në krah të Rigertës është Lulzim Basha. Jo se ai dhe të tjerë nuk janë përgjegjës për këtë gjendje të fshatit, por për pozicionin politik, ai duhet të jetë në anën e atyre që duan të ndryshojnë situatën.
Nëse ka një talent Edi Rama këtu, është që edhe dikë që i del kundër në Parlament arrin përmes Bashës ta kthejë në pikë për vete.
Vetëm një lider opozite si Lulzim Basha, mund t’i kundërvihet një fryme opozitare në vend, vetëm se ajo nuk kalon nga listat e tij. I vetmi mëkat i Rigertës, është që nuk është në listat e Bashës si opozitare pasi problemi që ajo ngre dhe gjuha me të cilën flet e tejkalon fuqinë e gjuhës së opozitës. Dhe arsyeja është tek besueshmëria. Njerëzit nuk u prekën nga lotët e saj, por besuan atë që tha ajo. Problemi që ka Basha dhe opozita e tij është pikërisht kjo: Nuk e beson njeri për asgjë, edhe kur thotë ndonjë të vërtetë.
Është koha të mësojë si bëhet opozitë e besueshme dhe të mos frikësohet se ja vjedh kush atë që ka. Nuk i duhet njeriut ajo parti. Sidomos siç e ka keqkatandisur ky!
Diskutime rreth kësaj post