Samiti virtual i kësaj jave midis presidentit amerikan Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin u zhvillua në një mjedis të tensionuar diplomatik, për shkak të trupave ruse që janë grumbulluar në një numër të madh në kufi me Ukrainën. Deri më tani, masat ndëshkuese, të cilat ka lënë të kuptohet se do të ndërmarrë Shtëpia e Bardhë ndaj Kremlinit, janë të pamjaftueshme për të penguar Rusinë nga agresioni i mëtejshëm ndaj Ukrainës.
Po si arritëm në një pikë ku sistemi i sigurisë i udhëhequr nga SHBA, që e ka mbrojtur Evropën për më shumë se 70 vjet, duket se po lëkundet përballë goditjeve ruse?Zgjerimi i sistemit evropian të sigurisë pas Luftës së Ftohtë, i ndërtuar mbi themelin e krijuar nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, ishte një zhvillim i mirëpritur gjerësisht.
Shtetet më të vogla të Evropës Qendrore dhe Lindore, e dinin nga përvoja e tyre e hidhur, se siguria kolektive brenda aleancës transatlantike, ishte alternativa e vetme e zbatueshme e shekullit XXI-të ndaj fatkeqësive të shekullit të kaluar.
Ndërsa NATO i shtoi anëtarët e saj, nuk ndryshoi modeli i Luftës së Ftohtë i pozicionimeve ushtarake përgjatë kufirit midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Gjatë Luftës së Ftohtë, forcat ushtarake më të fuqishme në botë u përqendruan në Hendekun Fulda, një korridor fushor, që ishte distanca më e shkurtër midis Gjermanisë Lindore dhe lumit Rin, dhe për këtë arsye edhe vendi më i mundshëm i një pushtimi sovjetik me tanke të Gjermanisë Perëndimore.
Në vitin 1997, NATO deklaroi se nuk do të vendoste “forca të konsiderueshme luftarake” në territorin e anëtarëve të rinj. Por kjo pritshmëri kushtëzohej nga respekti që do të tregonte Rusia ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të 14 shteteve të tjera të krijuara pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.
Aneksimi i Krimesë nga Vladimir Putin në vitin 2014, e shfuqizoi Memorandumin shumëpalësh të Budapestit të vitit 1994 dhe Traktatin dypalësh të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit të vitit 1997 midis Federatës Ruse dhe Ukrainës.
Një Rusi agresive dhe oportuniste, po përpiqet tani që të shfrytëzojë kapacitetin e zvogëluar parandalues të NATO-s. Moska e ka intensifikuar ndikimin dhe operacionet e spiunazhit, si dhe e po e përdor si një armë furnizimin me energji, sidomos kundër Bjellorusisë, Moldavisë dhe Ukrainës.
Objektivi i menjëhershëm për aneksimin faktik të radhës nga ana e Rusisë është Bjellorusia, qëndrimi aktual antagonist i së cilës ndaj NATO-s, lind më shumë nga nevoja sesa nga dëshira. Ndërsa shqetësimet për shkeljen e të drejtave të njeriut, e ndërlikojnë mundësinë e marrëdhënieve më të mira me Perëndimin, Minsku e ka kthyer kokën nga Moska.
Për më shumë se dy dekada, Rusia ka negociuar disa skenarë të ndryshëm për të krijuar një “bashkim de fakto” me Bjellorusinë. Në shtatorin e këtij vitit, Rusia kreu stërvitjen e saj të përbashkët ushtarake me Bjellorusinë,“Zapad”. Duke përshpejtuar krijimin e një doktrine të përbashkët ushtarake, “unioni” midis 2 shteteve u institucionalizua në një marrëveshje të nënshkruar më 4 nëntor.
Po ashtu Rusia përshpejtoi krijimin këtë verë të një njësie të re ushtarake në enklavën ruse të Kaliningrad, Divizionin e 18-të i Motorizuar, dhe njësitë e lidhura të mbrojtjes ajrore ruse dhe bjelloruse me bazë në Bjellorusi dhe Kaliningrad.
Këto njësi do të ishin vendimtare për të depërtuar në hendekun Suvalki në Poloni,që ndodhet midis Lituanisë dhe Bjellorusisë, duke i dhënë mundësi trupave ruse të shkëpusin 3 shtetet baltike nga pjesa tjetër e NATO-s. Kjo qasje bart ngjashmëri me strategjinë ushtarake të Moskës gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Gjatë Luftës së Ftohtë, forcat sovjetike ishin të pozicionuara për të goditur forcat e NATO-s përmes Hendekut Fulda duke hedhur në sulm mbi gjysmë milioni ushtarë në Gjermaninë Perëndimore, të përforcuara nga më shumë se 2 milionë trupa rezervë nga qarqet ushtarake perëndimore të ish-BRSS që do të sulmonin në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, duke e ndarë NATO-n përgjysmë.
Në kushtet kur trupat e NATO-s ndodhen vetëm qindra km larg kufirit të ish-Bashkimit Sovjetik, Rusia ka një nxitje të madhe ushtarake për ta përmbysur status quo-në e pas Luftës së Ftohtë, dhe për të rivendosur dominimin e saj ushtarak në rajon. Planet e saj janë shumë të qarta.
Dominimi i Rusisë në Bjellorusi, është në fazat e tij përfundimtare pasi ai e përshkallëzon presionin mbi ish-shtetet e mbetura sovjetike në Evropë, të cilat nuk janë pjesë e NATO-s, Moldavia dhe Ukraina.
Tetë shtetet e vijës së frontit të NATO-s – nga Baltiku në Detin e Zi – përbëjnë tashmë një rrezik për fuqinë ushtarake ruse, siç ishte Evropa Perëndimore ndaj fuqisë ushtarake sovjetike në Luftën e Ftohtë. Duke pasur parasysh këto rrethana, çfarë mund të bëjë SHBA për të rivendosur strategjinë e frenimit në Evropë?
Së pari, perimetri i sigurisë i NATO-s duhet t’i përshtatet sjelljes armiqësore të Rusisë. Duhet të mbrohen shtetet e vijës së parë të frontit, sidomos Polonia dhe shtetet bregdetare të Detit të Zi, Rumania dhe Bullgaria, të cilat do të kenë nevojë për një sistem modern mbikëqyrjeje dhe zbulimi, të lidhur me një rrjet të integruar komandimi dhe kontrolli.
Për më tepër, NATO duhet të evokojë Nenin 4 të Traktatit të NATO-s për të rivendosur parandalimin dhe stabilizimin e rajonit kufitar të aleancës. Kjo do të krijonte një proces konsultativ sa herë që kërcënohet “integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria” e çdo shteti anëtar.
Së fundmi, NATO duhet t’u sigurojë aftësi moderne ushtarake shteteve të vijës së frontit. Ky modernizim duhet të shkojë përtej blerjes nga Polonia të avionëve luftarakë F-35 dhe tankeve M1 Abrams. Aleatët e vijës së parë të NATO-s, duhet të integrohen në një strategji parandalues efektive.
E ardhmja e sistemit të sigurisë së pasluftës, mund të jetë seriozisht e rrezikuar. Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë urgjentisht për të mbrojtur shtetet në vijën e frontit, dhe për të rivendosur në zbatim në Evropë strategjinë e frenimit të Rusisë.
Diskutime rreth kësaj post