Ambicia e deputetit socialist Ben Blushi për të marrë drejtimin e PS-së, krahas mbështetjes publike që i ka dhënë deputetja Mimoza Hafizi, ka filluar të marrë pëlqimin e të tjerë deputetëve të majtë.
Kështu, gjatë seancës së djeshme plenare nuk ishin të paktë deputetët e PSsë që u mblodhën rreth tryezës së Blushit për të ndarë me të biseda, ndoshta edhe pjesë nga programi që vetë deputeti ka premtuar se do të paraqesë në Kongresin e PS-së, në 19 mars.
Fillimisht, deputeti Ben Blushi është parë të diskutojë me kolegen Mimoza Hafizi, deputeten e parë socialiste që i ka dalë në krah në garën për PSnë. Më pas pjesë e diskutimeve është bërë edhe deputeti tjetër socialist, Musa Ulqini, i cili është edhe në grupin e punës për ndryshimet statusore që priten të miratohen në kongresin e marsit.
Tryeza është zgjeruar me ardhjen e kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetarit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi, dhe deputetëve Anastas Angjeli, Xhemal Qefalia dhe Ylli Ziçishti.
Biseda mes socialistëve është dukur e qetë dhe miqësore. Momenti më pikant i bisedës mes socialistëve ishte ardhja e deputetit dhe koordinatorit të PSsë në qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima.
Ka qenë vetë Blushi ai që nuk ka nguruar të bëjë batutë. “Po ku je, mo Koço? Eja, pse nuk na bashkohesh?”, ka thënë Blushi me humor./Panorama
Diskutime rreth kësaj post