Ish-kryeministri Sali Berisha duket se është braktisur nga pjesa dërmuese e deputetëve, krerëve të degëve dhe demokratëve. Pasi kryedemokrati Lulzim Basha e përjashtoi në 9 shtator nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ish-kryeministri Berisha njoftoi nisjen e një turi në bazë, të cilën e pagëzoi me emrin “Foltorja”. Kjo e fundit nisi rrugëtimin e saj në 16 shtator në qytetin e Tiranës, ndërsa po shtegton nga qyteti në qytet. Por ndryshe nga sa ishte trumbetuar me të madhe nga zoti Berisha, në takimet e zhvilluara, ka rënë në sy fakti se vetëm 4 për qind e deputetëve i kanë dalë në krah ish-kreut të PD, ndërkohë që pjesa dërrmuese e grupit parlamentar krah Bashës.
Gazeta u ka bërë një analizë 5 takimeve të zhvilluara nga ish-kryeministri Sali Berisha në Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorës dhe bie në sy se vetëm 7 deputetë të Partisë Demokratike mbështesin atë, që i bie rreth 4 për qind e grupit parlamentar. Po kush janë ligjvënësit demokratë që mbështesin Berishën? I pari është deputeti demokrat i Tiranës, Flamur Noka, i cili jo vetëm që ka dalë hapur krah ish-liderit demokrat, por ka shkuar deri atje se të debatojë fort në mbledhjet e grupit demokrat me kreun e PD, Lulzim Basha, duke i kërkuar llogari, ndërsa e ka akuzuar atë si tradhtar. Madje, zoti Noka është nga të vetmit deputetë që është parë në të 5 takimet që zoti Berisha ka zhvilluar me simpatizantë të tij demokratë. Po ashtu, një tjetër deputet që mbështet Berishën është Oerd Bylykbashi.
Ky i fundit është shfaqur krah Berishës në takimin e Durrësit, ndërkohë që prania e tij atje, duket se i hapi telashe, pasi nuk është më në vëmendjen e shefit të selisë blu, pasi është spostuar nga disa tryeza dhe komisione të rëndësishme që pritet të drejtohen nga demokratët. Ndërkaq edhe drejtuesi politik i PD për Qarkun e Durrësit, deputeti Edi Paloka është rreshtuar krah Berishës. Po ashtu, mbështetje të hapur krah ish-kryeministrit Sali Berisha ka shfaqur edhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu. Nga ana tjetër, krah Berishës është rreshtuar edhe deputeti i PD për Qarkun e Fierit, Luan Baçi.
Një tjetër deputet demokrat që ka dalë pro Sali Berishës është drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Edmond Spaho. Kështu që të gjitha këto tregojnë se ish-kryeministrit Sali Berisha i kanë shkuar pas dhe e kanë shoqëruara deri tani që flasim në takimet e tij me simpatizantët demokratë, vetëm 4 për qind e deputetëve, ndërkohë që pjesa dërrmuese e grupit parlamentar është rreshtuar krah kreut të PD, Lulzim Basha. Pra, të gjitha këto tregojnë se Sali Berisha i sotëm, nuk është më, ai lideri i 30 viteve më parë, madje as Shqipëria nuk është më e njëjta, as PD, e mbi të gjitha, as demokratët vetë, që si duket e kanë braktisur Berishën në aksionin e tij politik kundër kryedemokratit Lulzim Basha.
Diskutime rreth kësaj post