FMN përsëriti edhe një herë se nuk është kundër koncesioneve me Partneritet Publik Privat, por se duhen përzgjedhur projekte cilësore që duhet të kalojnë në një mekanizëm të qartë dhe transparent se si do të realizohen. Misioni i Parë i FMN-së për Monitorimin e post-programit në një takim me mediat, pohoi se ka mosmarrëveshje me qeverinë për PPP-të.
“E këshillova qeverinë të merrte pauzë dyjavore me qëllim që të ngrinte kuadrin e duhur, pasi ngritja e tij kërkon kohë”, shtoi përfaqësuesi i FMN në vendin tonë Jens Reinke, i cili pohoi se një Komision Teknik i Fondit po ndihmon për këtë. Por qeveria i ka thënë fondit se e ka gati mekanizmin.
Misioni i FMN-se pohoi se, në rastin e projekteve me PPP ka ndarje të riskut mes shtetit dhe privatit. Sipas tij, “është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mos marrë më shumë risk se çfarë duhet. Për projektet PPP ka shumë rreziqe nisur nga përvojat e vendeve të tjera, prandaj Fondi i ka kërkuar qeverisë të bëjë analizat e duhura në lidhje me këto projekte”.
Më tej, përfaqësuesja e misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se, “Nuk jemi në program me Shqipërinë, po japim këshilla. Ndaj për çdo rrezik është përgjegjësia e autoriteteve. Shpresojmë se në rast se qeveria do të vazhdojë me koncesionet, atëherë risqet të pasqyrohen në bilanc.
Rritja ekonomike në Shqipëri është e fortë, 3.9% këtë vit dhe 3.7% në vitin e ardhshëm, nga më të lartat në rajon. Inflacioni është i ulët, eksportet të forta, rezervat të kënaqshme.
Nuk është koha për vetëkënaqje se rritja mund të mos zgjasë. Tregu ndërkombëtar mund të ngadalësohet në afat të mesëm. Në tregun e brendshëm ka borxh të lartë, NPL të larta dhe mjedis të vështirë për biznes, vuri në dukje misioni i FMN-së, duke këshilluar vijimësinë e konsolidimit fiskal.
FMN kundër TVSH-së për biznesin e vogël
Në lidhje me përfshirjen në TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë, FMN këshillon se “administrata do të shpërqendrohet, në vend të fokusohet të ndërmarrjet e mëdha dhe ka rrezik të ulen të ardhurat, ndaj nuk ishim dakord që në fillim”.
Nuk mendojmë se është një masë e mirë në drejtim të rritjes së të ardhurave. Rritja do të jetë më ulët vitin që vjen, pasi nuk do jenë më projektet e mëdha energjike, teksa në tregun ndërkombëtar situata nuk është më aq e fortë.
Konsolidimi fiskale të vijojë, kyçe rritja e të ardhurave
Nevojitet konsolidim më i shpejtë fiskal për të krijuar amortizatorë. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71.2% të PBB-së në fund të vitit 2017, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe asaj lokale prej 1.8 % të PBB-së, tronditje të tilla negative si ngadalësimi i rritjes i ndërthurur me prime të larta risku të interesave dhe zhvlerësimi i kursit të këmbimit apo materializimi i detyrimeve të kushtëzuara, mund të kishin ndikim negativ të borxhit dhe qëndrueshmëria e jashtme, çka do të krijonte një korrigjim të fortë fiskal.
Një objektiv më ambicioz për deficitin fiskal, në përputhje me përpjekjet fiskale shtesë prej rreth 1% të PBB-së në dy vjet në krahasim me një deficit konstant të qeverisjes së përgjithshme prej 2% të PBB-së në buxhet, do të ndihmonte në arritjen më shpejt të uljes së borxhit, për të krijuar një hapësirë shtesë për manovrim në rast se realizohen këto tronditje negative. Në këtë aspekt, fuqizimi i të ardhurave përbën prioritet kyç, jo vetëm për të ulur deficitet, por edhe për të krijuar hapësira për më shumë shpenzime në infrastrukturë dhe në arsim.
Nevojiten korniza më të forta për menaxhimin e buxhetit dhe të investimeve publike në mënyrë që të zbuten risqet fiskale dhe të ketë sa më pak dëm të burimeve të pakta.
FMN thotë se me rritjen e nivelit të investimeve publike, autoritetet duhet t’ju japin zgjidhje mangësive në menaxhimin e projekteve, përfshirë edhe në njësitë e qeverisjes vendore dhe në ndërmarrjet shtetërore (NSH). Nevojitet vendosja e prioriteteve mes projekteve, përfshirë edhe PPP-të, brenda tavanit të investimeve publike, që do të duhej të financoheshin si duhet në kuadrin buxhetor afatmesme. Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç, është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave.
Këto janë procese me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktikat aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eliminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon rreziqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe drejtimit të brendshëm.
Kujdes detyrimet e reja
FMN kërkon një zbatim më të fortë të masave kontrolluese të angazhimeve buxhetore, që është shumë i rëndësishëm për parandalimin e akumulimit të detyrimeve të prapambetura. Angazhimet e pambuluara me fonde në buxhetin afatmesëm dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së kanë sjellë akumulimin e detyrimeve të reja të prapambetura prej rreth 0.9% të PBB-së në 2017-n (prej të cilave 0.7% rimbursim TVSH-je), që duhet të zgjidhet me shpejtësi.
Reformat rigjallëruese në sektorin shtetëror të energjisë elektrike për t’i vënë shoqëritë në baza të qëndrueshme financiare kanë rëndësi kritike. Autoritetet do të duhej t’i jepnin zgjidhje akumulimit të detyrimeve të prapambetura dhe humbjeve dhe të përmirësonin efikasitetin operativ, përfshirë edhe nëpërmjet një drejtimi të brendshëm më të mirë të shoqërive, nëpërmjet reformave institucionale dhe të tregut dhe të investimeve të orientuara mirë.
Borxhi i lartë
Nevojat bruto për financim të Shqipërisë, në rreth 21% të PBB-së, mbeten të larta. Planet e autoriteteve për të mbështetur zhvillimin e tregut dytësor për obligacionet pesëvjeçare të qeverisë do të ndihmonin në uljen e këtij risku. Emetimet e eurobondit do të duhej të synonin shlyerjen e borxhit në valutë të huaj duke qëndruar vigjilentë ndaj riskut që paraqet mbështetja e tepruar te huamarrja me kushte jo të buta në valutë të huaj. Kapacitetet e menaxhimit të borxhit në Ministrinë e Financave janë të pamjaftueshme dhe duhen forcuar më tej. Nevojitet një bashkëpunim i ngushtë midis Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe tregjeve, po të keni parasysh ekspozimin e lartë të bankave ndaj sektorit publik.
NPL të ulen më tej
Niveli i kredive nënstandard (13.2% e kredive në fund të 2017) ka rënë për shkak të fshirjes nga bilancet dhe përpjekjeve për ristrukturimin e tyre. Megjithatë mbeten ende pa përfunduar reformat e rëndësishme për përshpejtimin e ekzekutimit të kolateralit, përfshirë edhe tarifën e suksesit për përmbaruesit dhe rregullorja për marrëveshjet e gjykatës, duke i shtyrë bankat të mos marrin risk.
Autoritetet do të duhej të mbeteshin vigjilente ndaj risqeve të mundshme të lidhura me ekspozime të konsiderueshme e mëdha të shoqërive dhe rritjen në sektorin e ndërtimit. Strategjia për deeuroizimin, e prezantuar kohët e fundit, do të ndihmonte uljen e risqeve të tërthorta të kreditimit nga ekspozime të konsiderueshme në monedhë të huaj të cilat nuk janë të mbuluara. Kjo strategji do të duhej të vihej në zbatim gradualisht për t’i zbutur risqet e mospërdorimit të ndërmjetësve financiarë.
Diskutime rreth kësaj post