Tërmeti i cili tronditi vendin tonë solli pasoja të mëdha. Yllka Osmani është njëra nga të mbijetuarat e tërmetit, e cila ka renë nga kati i shtatë i apartamentit ku banonte, në kohën që ra tërmeti i tmerrshëm.
Në programin “Historia ime”, Yllka ka treguar historinë prekëse se si arriti të shpëtonte.
Ajo dhe bashkëshorti i saj ndodheshin në katin e shtatë të ndërtesës. Kishin ndjerë dy lëkundjet e para, por lëkundja e tretë ishte shumë e fortë. Nuk kishin patur mundësi të dilnin dhe në një kohë shumë të shkurtër e panë veten në mes të rrënojave. Yllka tregon se arriti të dallonte bashkëshortin e saj, i cili ishte në gjendje shumë të keqe.
Pas 10 minutash tmerri dhe dhimbjeje vijnë të afërmit e tyre dhe i nxjerrin nga rrënojat. Yllka tregon se në katin e parë të ndërtesës ishte dhe djali i saj, por që fatmirësisht arriti të dilte jashtë banesës para se ajo të shembej përtokë.
Yllka: Falë Zotit jam gjallë!
Gazetarja: Ju jetonit në cilën zonë të Durrësit?
Yllka: Në plazh, në stacionin e hekurudhës.
Gazetarja: Godina sa katëshe?
Yllka: 7 katëshe
Gazetarja: Jetoni me familjen?
Yllka: Bashkë me familjen. Bashkëshorti, djali dhe vajza. Djali jetonte në katin e pare atë natë ndërsa vajza ishte në Tiranë.
Gazetarja: Në ato momente ishit vetëm me bashkëshortin në shtëpi?
Yllka: Po dhe djali ishte në të njëjtën banesë, po në katin e parë.
Gazetarja: Ndërkohë ju ishit në katin e shtatë?
Yllka: Ne në katin e shtatë dhe ra tërmeti i dytë që ishte më i fortë se i pari.
Gazetarja: E ndjetë tërmetin e pare?
Yllka: Po e ndjemë.. Edhe u cuam, menduam se nuk do kishte më, por filloi i treti dhe nuk na la kohë të bënim asgjë. Atje thamë Zot na ndihmo dhe kur pamë që fluturuam me gjithë krevat…
Gazetarja: Çfarë ndodhi?
Yllka: Ra komplet ndërtesa në tokë, komplet u shkri, u bë pluhur i bardhë. Ne nuk e di kur e kemi parë veten aty, bashkëshorti që më thërriste Yllka ku je? Unë i thoja ti ku je se nuk shihej asgjë. Kur e shoh bashkëshortin të varur, kokë edhe këmbë dhe duar dhe i mbahej vetëm një pjesë e këmbës tek një pjesë solete. Nuk e di si i kam dhënë fuqi vetes dhe e kam tërhequr drejt vetes. Pastaj kemi ndenjur në rrënoja të sakatuar,vetëm rrënkonim. Pastaj dëgjuam zëra nga lagjja që panë se ndërtesa u shkri komplet dhe thoshin jeni gjallë, flisnin, a jeni gjallë, përmendnin emrat tanë dhe pastaj na nxorrën nga rrënojat. Pastaj pamë që nga kati i shtatë ishim në tokë.
Gazetarja: Ju keni rrëshqitur bashkë me krevatin ku ishit shtrirë?
Yllka: Po, por ajo ka ndodhur shpejt, në ato moment kam mbuluar kokën me jastëk që mos shikoja vdekjen me sy. Edhe madje poshtë kur rashë, jastëkun e kisha akoma mbas vetes sime.
Gazetarja: Bashkëshorti ka arritur të mbijetojë?
Yllka: Po, por është më rëndë është në Spitalin e Traumës, është jashtë rrezikut për jetën por ka dëmtime të rënda.
Gazetarja: Mund të themi që ky ka qenë moment më i vështirë në jetën tuaj?
Yllka: Më i vështiri në jetë ky është, pamë vdekjen me sy edhe Zoti na e theu prapë. Kur pashë murin e dhomës që u nda dhe ne fluturuam, thashë kaq ishte..
Gazetarja: Sa keni ndjenjur në rrënoja?
Yllka: Shumë pak, diku 10-15 minuta.
Gazetarja: Djali juaj është mirë?
Yllka: Djali është mire. Fatmirësisht ai arriti të dilte se ishte në katin e parë.
Diskutime rreth kësaj post