Flet këngëtari shqiptaro-malazez, Gëzim Salaj: “Televizioni shqiptar na jepte mrekulli që ne i besonim verbërisht për Shqipërinë. Thoshim lum shqiptarët ç’jetë bëjnë. Por u zhgënjeva kur e pashë, me varfëri, me rrugë të këqija, dyqane bosh, shtëpi të vjetra dhe njerëz të uritur”
Një këngëtar me reputacion të gjerë në gjithë trevat shqiptare, i cili ka në arkivin e tij 10 albume dhe rreth 110 këngë, si rrallëkush. Ky është Gëzim Salaj, i lindur dhe i rritur në Ulqinin e bukur, i cili në një rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press” tregon sesi ai dhe shqiptarët e tjerë të Malit të Zi e imagjinonin Shqipërinë në kohën e komunizmit, por dhe sesi u zhgënjyen kur e panë nga afër atë”. Në imagjinatën e tij, Shqipëria ishte vendi më i bukur në botë pasi ashtu e njihte nëpërmjet televizorit tokën e të parëve të tij. “Mbi të gjitha një respekt të madh kisha për Enver Hoxhën. E adhuroja. Enveri më dukej gjeni, më dukej i paarritshëm. Më dukej njeriu që e lartësoi Shqipërinë, që i dha respekt në botë. E doja si të gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Kur dilte Enveri në televizion ne hapnim sytë”, tregon ai. Duke shtuar më tej përshtypjet e trishta nga vizita e tij e parë në Shkodër. “Ku ishte Shkodra që shikoja në televizor? Akoma më keq kur takova miqtë e mi Bujar Qamilin dhe Gëzim Krujën. I dija madhështorë, plot pasuri dhe shkëlqim, por i gjeta në varfëri. Nuk më besohej. Më dukej vetja si në një ëndërr të keqe”, sqaron ai…
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Z. Gëzim, gjithmonë prodhues dhe mjaft i kërkuar. Cilat janë këngët e reja tuaja të fundit?
Unë jam gjithmonë në kërkim, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në bashkëpunime të ndryshme për këngë të reja. Qysh dy vjet që nuk jemi takuar, unë kam bërë shumë këngë, mbi dhjetë, por dua të përcjell tek lexuesi shqiptar disa këngë hit të cilat janë “Jabanxhia”, “Një natë”, “Lot e Mall”, “Ulqinakes”, “Një natë në Shkodër”. “Më fal o Zot”. Këngë këto që kërkohen gjithmonë në të gjitha aktivitetet, ku më thërrasin.
Kënga “Ulqinakes”, kujt i dedikohet?
Nuk është emër i përveçëm, është emër i përgjithshëm që i dedikohet femrës ulqinake, apo më mirë të themi, vajzës ulqinake me të gjitha hiret e saj. Vajzat ulqinake janë të bukura, tërheqëse, të zgjuara, plot nur dhe shumë të kërkuara nga djemtë në rrethinat e zonës sonë. Deti u ka dhënë atyre bukurinë e rrallë, por edhe zgjuarsinë. Por mbi të gjitha përcjell dashurinë që japin vajzat e Ulqinit. Pra, flet për dashurinë, flet edhe për ethet e dashurisë dhe lotët e saj. Ja vargjet e kësaj kënge:
Ulqinakes
“Rrugët e ngushta i mbuloi bora,
kjo zemra ime troket si ora.
Unë ty të pres te vendi i vjetër,
kjo zemra jote e don nji tjetër?!
Tash sa muaj e tash sa vjet,
zemra ime nuk është e qetë,
veç për ty moj ulqinake,
mbyt malli i kësaj nate”.
Për ju, Shqipëria mollë e ndaluar. A shikonit në televizor RTSH dhe si ishte ideja juaj për Shqipërinë? Kë njihje nga personalitet e artit shqiptar?
Në shtëpinë tonë diskutohej gjithmonë për Shqipërinë, çdo mbrëmje. Unë jam rritur me ngjarjet rreth saj nga tregimet e prindërve dhe duke lexuar. Ne bënim çmos të shikonim TVSH-në dhe të dëgjonim Radio-Tiranën. Ato ishin për ne burim frymëzime dhe lehtësim malli. Nga ana tjetër, duke qenë në kufi me Shkodrën, unë lidhjet i kisha shpirtërore me këtë qytet me shumë histori në drejtim të këngës. Unë dija dhe lexoja shumë për Shkodrën, pasi edhe gjuhën e kemi të përbashkët, gjuhë krahinore. Unë të njohur kisha shumë, por lidhje të drejtpërdrejta i kisha me Gëzim Krujën dhe me Bujar Qamilin. Të dy këta artistë kishin zënë shumë vend në zemrën time. Njëri këngëtar dhe tjetri aktor i humorit, për mua përbënin një ndjesi shumë të veçantë. Ishin shumë të njohur dhe të respektuar për ne në Mal të Zi, i mendoja si njerëz të rrallë dhe me të ardhura të mira. Bujar Qamilin e mendoja me të pasur shumë, me aq sa e njihja vetëm nëpërmjet televizionit. Të them të vërtetën, televizioni shqiptar na jepte mrekulli që ne i besonim verbërisht. Kudo shikonim ara të mbjella të sistemuara, kudo punohej, kudo çdo gjë dukej e bukur. Çdo gjë dukej perfekte. Ne thoshim lum shqiptarët e Shqipërisë se ç’jetë bëjnë. Unë televizorin e mbaja vetëm tek Tirana. As mendoja stacion tjetër. Bëja çdo gjë për ta kapur mirë Tiranën. Kisha antenë të veçantë. Kur nuk ma kapte Tiranën, mërzitesha. Shqipëria më dukej vetë parajsa. Por mbi të gjitha një respekt të madh kisha për Enver Hoxhën. E adhuroja. Enveri më dukej gjeni, më dukej i paarritshëm. Më dukej njeriu që e lartësoi Shqipërinë, që i dha respekt në botë. Më dukej njeri i veçantë. E doja si të gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Kur dilte Enveri në televizion ne hapnim sytë. Ai kishte çdo gjë të bukur që i duhej një njeriu. I gjatë, i bukur, i gojës. Ai ishte për ne mbret. Mezi prisnim të dilte në televizion. Ne mburreshim se në gjithë Europën kishim udhëheqësin më të bukur, më të gjatë, më orator. Ku i dinim ne ato çka ndodhnin në Shqipëri. Të jem i sinqertë. Madje dhe shumë shokë të mi malazez kishin shumë respekt për të.
Pra, kishe një mendim si një vend përrallor, si një vend i bukur me njerëz të pasur, po kur erdhe u zhgënjeve?
Po, u zhgënjeva, u ndjeva keq, u ndjeva si në një vend pa sistem. Kur mendoja njerëz të qeshur dhe të pasur, pashë varfëri, pashë rrugë të këqija, dyqane bosh, shtëpi të vjetra, njerëz të uritur. Shkodrën që e quaja perlë përmbi perlë, m’u duk e shkretë, e vuajtur, pa energji. Ku ishte Shkodra që shikoja në televizor? Akoma më keq kur takova miqtë e mi Bujar Qamilin dhe Gëzim Krujën. I dija madhështorë, plot pasuri dhe shkëlqim, por i gjeta në varfëri. Nuk më besohej. Më dukej vetja si në një ëndërr të keqe. Po e them shqip ngela si i nemitur kur pashë Bujar Qamilin me një biçikletë të vjetër dhe Gëzim Krujën aq të varfër. Desh lotova, por ky ishte realiteti. Gjeta artistë shumë të varfër, por me zemër shumë të madhe.
A e bëje krahasimin me Ulqinin?
Ulqini në atë kohë ishte më i bukur, ku përveç bukurisë, kishte 99% shqiptarë. E them me plot gojën se ishim një qytet i qetë, i bukur, plot me turistë, ndër qytetet me më shumë turistë nga të gjitha vendet e botës. Anës detit, ajër i pastër, rrugë të mira. Gjelbërim. Sot në Ulqin banojnë 20% malazezë. Titua kishte apo më mirë themi ndiqte tjetër politikë, ishte më i hapur më botën. Vetë ai kishte ardhur dy herë në Ulqin dhe atë kohë pati thënë një thënie, që të gjitha agzotet dhe sot e përcjellin herë pas here: “Ulqini në çdo cep është ar”, “Një parajsë detare”. Por dua të them edhe diçka. Kur ra tërmeti në Shkodër 1978, në Bahçallëk, ra dhe në Mal të Zi. Në Shkodër pasojat u riparuan menjëherë, kurse tek ne u deshën vite. Madje shumë shqiptarë të Malit të Zi emigruan, sepse ngelën pa shtëpi. Kjo na bindi që ju jetonit shumë mirë, por ishte fasadë.
Shumë këngëtarë ua përcjellin profesionin fëmijëve, po Gëzimi?
Edhe unë po ndjek këtë ritual. Aktualisht, vajza ime Egzona Salaj me të vërtetë po e trashëgon më së miri këtë profesion. Ajo është një këngëtare me të ardhme ka shumë dëshirë dhe pasion të bëhet një këngëtare profesioniste.
Ju thoni që ndiqnit të gjithë këngëtarët shkodranë, cilët prej tyre kishit më për zemër?
Televizioni shqiptar ishte informuesi numër një. Të gjithë këngëtarët e Shkodrës, Bik Ndojën, Ibrahim Tukiçin dhe me radhë i njihja sikur t’i kisha afër. Shkodra për ne, ishte mbretëri më vete.
REPERTORI
“Gjithë veriu, një territor i cili na fton gjithmonë”
“Kam mbi 28-vjet që këndoj dhe kam në repertorin tim mbi 110 këngë të incizuara, por kam dhe shumë të tjera të paregjistruara. Kam 10 albume muzikore, që të gjitha janë shitur. Kam punuar dhe punoj me kompozitorë të ndryshëm, si nga Shqipëria, edhe nga Mali i Zi, por edhe nga Kosova. Arben Dema, Bac Faja dhe Ramazan Islami nga Mali i Zi janë bashkëpunëtorët e mi më të afërm, që kemi një miqësi të sinqertë. Emiljano Leka është klarinetisti me të cilin unë punoj gjithmonë. Ne jemi si grup më i kërkuari në veri, ku në vit marrim pjesë në afër 150 dasma në Shqipëri dhe në Mal të Zi, madje dhe në Kosovë. Gjithë veriu, deri në Laç është një territor që na fton gjithmonë. Albumet i kam realizuar si në Shkodër, edhe në Mal të Zi. Psh, me Luan Dikistani nga Shkodra, Ilir Zogaj, Lan Çukaj, Sokol Vukal, Gëzim Haxhimehmeti”.
Diskutime rreth kësaj post