Vetëm para pak javësh, zviceranët shprehnin nevojën për t’i pasur 11 Valon Behramë në përfaqësuesen e tyre. Kjo ishte mënyra më e mirë për helvetikët, që të shprehnin mirënjohje për mesfushorin shqiptar, i cili arriti ta ”fusë në xhep” futbollistin më të shtrenjtë në botë, Neymarin, të cilin nuk e lejoi ta ndihmojë Brazilin në ndeshjen me Zvicrën, në Botërorin “Rusia 2016”.
Por, tani Zvicra e humbi edhe të vetmin Valon që e kishte. Madje, këtë e bëri në mënyrën më të turpshme të mundshme. Njeriu që thurte lavde për Behramin në Botëror, trajneri Vladimir Petkoviç, të hënën e kishte telefonuar futbollistin kosovar për t’ia kumtuar lajmin se skuadra zvicerane nuk llogaritet më në shërbimet e tij.
Kjo është mënyra më e keqe e mundshme për t’u ndarë me një futbollist, që shkruajti histori me kombëtaren helvete. Vetë Valon Behrami ka shpreh mllefin ndaj kësaj sjelljeje të Zvicrës karshi tij. Këtë e ka bërë shkurtimisht për mediat zvicerane, të cilave u ka thënë se largimi i tij nga përfaqësuesja është krejtësisht politik.
Por, pa dhënë shpjegime tjera. Mirëpo, rreth kësaj çështjeje që është bërë temë debati në Zvicër ka folur gjerë e gjatë babai i Valonit, Ragip Behrami, në një intervistë ekskluzive për “Zërin” e Kosovës.
“Menjëherë pas Botërorit, Valoni e ka paralajmëruar largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës. Ai dëshironte të largohej kryesisht për arsye familjare, por edhe ndihej i lodhur dhe dëshironte që vitet e fundit të karrierës si futbollist aktiv t’i përqendrohej klubit. Mirëpo, zviceranët kanë qenë kategorikisht kundër dhe nuk e kanë pranuar largimin e tij. Ndërsa tani e larguan në mënyrën më të keqe, në mënyrë jonjerëzore”, – ka deklaruar Ragip Behrami për gazetën “Zëri”.
Sikurse Valon Behrami, edhe babai i tij, Ragipi, insiston se largimi i 33-vjeçarit nga përfaqësuesja zvicerane ndërlidhet kryekëput me çështje politike. Në kampin e Zvicrës në Botëror ishin shfaqur dallimet e përkatësive kombëtare. Sidomos te futbollistët shqiptarë, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Këta dy të fundit i kishin festuar me shqiponjën dykrenore golat e fitores 2-1 ndaj Serbisë.
Mënyra e festimeve të tyre, të cilave u ishin bashkuar edhe Behrami, Xhemaili, por edhe lojtarë të tjerë zviceranë, kishin bërë jehonë në gjithë botën. UEFA i kishte dënuar me të holla të dy kosovarët e Zvicrës për shkak se serbët ishin ankuar dhe ishin ndjerë të provokuar.
Drejtuesit e futbollit zviceran ishin munduar ta qetësonin situatën për shkak se ishin të fokusuar të arrinin sukses me skuadrën e tyre. Mirëpo, menjëherë pas kthimit nga Rusia në Zurich, drejtuesit e Federatës së Futbollit të Zvicrës kishin filluar të kërkonin nga futbollistët e tyre të përcaktoheshin për një shtetësi të vetme. Behrami dhe futbollistët e tjerë shqiptarë e kanë vetëm nga një pasaportë, atë zvicerane.
Por, shqiponja e tyre dykrenore kuptohej si dyshtetësi për presidentin Peter Heinrich Gillieron dhe sekretarin gjeneral, Alex Miescher. Me këtë të fundit, rreth kësaj çështjeje, ishte përplasur Behrami, i cili kaherë nga zviceranët është parë si “kapiten” i grupit të futbollistëve shqiptarë brenda përfaqësueses së Zvicrës.
“Federata e Zvicrës pati shkuar shumë larg, duke e quar çështjen e dyshtetësive deri në Parlamentin e Zvicrës. Andaj, Valoni e ka pas një zënkë me sekretarin gjeneral. Valoni ka qenë i zemëruar me paragjykimet e njerëzve si sekretari gjeneral, i cili është marrë me çështje të tilla përkundër faktit se Valoni dhe futbollistët e tjerë shqiptarë e kanë dhënë maksimumin për skuadrën e tyre, – shpjegon Ragip Behrami për “Zërin”. – Andaj, Vladimir Petkoviç vetëm e ka zbatuar një urdhër, që ia kanë dhënë shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i federatës, duke e thirr Valonin për t’i treguar se i janë mbyllur dyert e skuadrës”.
Ragip Behrami thotë se trajneri Vladimir Petkoviç nuk qe dashtë t’i bindet me lehtësi urdhrit të presidentit dhe sekretarit gjeneral të federatës për ta larguar përmes një telefonate të vetme. “Në Petkoviç jemi hidhëruar për shkak se ia ktheu me të keqe një të mirë që ia pati bërë Valoni. Trajnerin boshnjak patën dashur ta largojnë nga posti i selektorit të Zvicrës, ndërsa Valoni e ka mbështetur dhe ka punuar në interes të tij, pra që ta mbetet trajner i Zvicrës”, – shprehet babai i futbollistit në bisedën me “Zërin”.
20 vjet në shërbim të Zvicrës; 13 vjet si futbollist i përfaqësueses A dhe 7 vite të tjera si lojtar i ekipeve të moshave helvetike. 83 paraqitje me përfaqësuesen A, ku shumë herë iu besua edhe shiriti i kapitenit. Lider i Zvicrës në katër Kampionate Botërore, gjë që nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër zviceran, e që në fakt nuk arrijnë ta bëjnë shumë futbollistë të tjerë të klasit botëror.
“Pikërisht prej kohës së angazhimit të Valonit, Blerim Xhemailit, Zvicra kishte nis të përparojë. Aty kishte nis ngritja, e cila vazhdonte të rritej edhe me ardhjen e Xherdan Shaqirit, Admir Mehmedit, Granit Xhakës, Pajtim Kasamit, i cili në moshën më të mirë u la jashtë. Sot Zvicra është e gjashta në botë, – shprehet Ragip Behrami.
– Natyrisht se kemi biseduar shumë me Valonin rreth kësaj çështjeje. Ai nuk është mërzitur që është larguar, por ndihet i nervozuar me mënyrën e largimit, sepse ai vetë ka dashtë të largohet, por nuk e kanë lënë. Mirëpo, Valoni më tha: Babi, unë do të ndihesha keq sikur të më largonte futbolli, sikur të më largonin për mosangazhim. Por, kur po e di se çka kam bërë për Zvicrën, ndihem krenar. Nuk po mërzitem që më largoi politika”, – tregon Ragipi.
Ai thotë se djali i tij është dashtë të pensionohet nga kombëtarja përmes një respekti dhe ndeshjeje lamtumire për kontributin e dhënë me zemër e shpirt: “Ne nuk pendohemi për krejt atë që e kemi dhënë që 20 vjet për Zvicrën. Zvicra ka dhënë shumë për djalin tim, familjen time, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Kështu që dy-tre individë, që e bënë krejt këtë poshtërsi, nuk e përfaqësojnë një Zvicër të tërë. Tifozët janë me ne dhe po i thonë “marre” këtij veprimi të federatës zvicerane”.
Diskutime rreth kësaj post