Arrestimi i administratores së kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani (Husha), ka sjellë edhe shoqërimin e edukatores që ishte prezente në momentin kur dhunohej fëmija 3 vjeç.
Gruaja që shfaqej në videon e dhunës që u denoncua në emisionin “Stop”, është marrë në pyetje për disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Edukatorja ka pranuar para oficerëve të Policisë se në kopshtin ku ajo ishte e punësuar, ushtrohej dhunë ndaj fëmijëve.
Madje ka pranuar edhe përgjegjësinë e saj për mosdenoncimin pranë organeve kompetente, por është justifikuar duke thënë se kishte frikë të kallëzonte atë që bënte punëdhënësja e saj, pasi në rast se do ta bënte, do të humbiste punën.
Burime nga grupi hetimor thanë dje se është administruar në cilësinë e provës materiale videoregjistrimi ku duket qartë ish-gazetarja Shabani që dhunon djalin e mitur. Sipas të njëjtave burime, është një material filmik prej më shumë se 2 orësh që do të analizohet hollësisht nga specialistët.
Sekuestrimi i pamjeve bruto të filmuara nga kamerat e emisionit investigativ “Stop” u kërkua nga Prokuroria, në mënyrë që të administroheshin në cilësinë e provës materiale. Sipas këtyre pamjeve, të transmetuara në emisionin e së hënës, shfaqet administratorja e kopshtit, Anjeza Shabani, duke dhunuar fëmijën 3 vjeç.
EDUKATORJA
Ndonëse pretendimet e administratores Anjeza Shabani, gjatë deklarimeve në Polici, flisnin vetëm për një moment dhune, që nuk kishte ndodhur më parë, gjithçka është hedhur poshtë nga edukatorja e kopshtit.
E shoqëruar për t’u marrë në pyetje, si dëshmitare e dhunës, por edhe si përgjegjëse për mosdenoncimin e saj, edukatorja ka pranuar se rasti i shfaqur në televizion nuk është i vetmi rast dhune.
Pavarësisht pretendimeve të Shabanit, Policia ka ngritur dyshime se pamjet e shfaqura nuk janë të vetmet në këtë kopsht, dyshime të përforcuara edhe nga deklarimet e edukatores. Burimet thanë se edhe prindër të tjerë kanë pretenduar se fëmijët u janë dhunuar në atë kopsht.
Njëra nga edukatoret, ajo që shfaqet në videon ku dhunohej fëmija, e cila në një moment përqafohet nga i mituri, që duket sikur kërkon të gjejë shpëtim tek ajo nga dhuna që po ushtronte Shahini, ka thënë se kishte frikë të denonconte.
Ajo ka deklaruar se duke qenë se në atë moment ndodhej vetëm për vetëm me shefen e saj dhe fëmijët, do të merrej vesh menjëherë që ishte ajo përgjegjësja e denoncimit.
Ky veprim mund t’i kushtonte asaj vendin e punës dhe për këtë arsye ka hezituar që të kallëzojë ngjarjen. Burimet thanë se ende nuk është marrë një vendim, nëse do të vihet nën përgjegjësi penale edukatorja.
Diskutime rreth kësaj post