Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar humbjen e koalicionit “Bashkë fitojmë” në bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e 14 majit. Ai tha se opozita dhe kandidati i saj në kryeqendrën e veriut ishin 14% para, por ishte ndërhyrja e qeverisë dhe përdorimi i bandave kriminale në blerjen e votave që deformuan vullnetin e qytetarëve. Berisha tha se fisi i Bajrave dhe 4 banda që ishin bërë bashkë në Shkodër kanë shpërndarë 12 milionë euro për të blerë votat.
“Në Shkodër, poll-et tona dhe poll-et e kundërshtarëve tanë, dilte me 12-14% përpara për ne. Përveç këtyre poll-eve, vetë kandidati kishte një organizatë sondazhesh nga Kosova e cila konfirmonte të njëjtat rezultate. Tre ditë para zgjedhjeve, socialistët në mjediset e tyre të brendshme deklaronin se e mbyllëm Shkodrën.
Informacionet e mia ishin këto, fillimisht i dërguan 2 milionë euro bandës kryesore, Bajrave për t’i shpërndarë. Nuk patën efektin që donin. Dhe më pas kanë dërguar 10 milionë euro. Kanë unifikuar në veprimtari kriminale 5 banda nga Dajçi në Dobraç dhe i kanë vërsulur duke ndarë para dhe rrëmbyer votat për qeverinë.
Para kësaj situate unë i kërkova Akil Krajës, drejtorit të kandidatit që do të instalohesh ditën e votimit në Velipojë sepse Pëllumb Gjoka, një problematik me një seri akuzash të rënda, por që thuhet se lan paratë e Olsi dhe Edi Ramës do të bëjë gjithçka për të ndërhyrë.
Akili shkoi në Velipojë. Qendra e votimit ishte me 4-5 banditë te dera me tatuazhe dhe zinxhirë floriri, vinte zgjedhësi e prisnin te dera, u hidhnin dorën në krah, i thonin diçka në vesh, e shoqëronin brenda dhe e prisnin derisa largohej. BMW e fundit e Pëllumb Gjokës pothuajse nuk kishte zënë derën e QV-së. Pëllumbi kishte shpërndarë njerëzit me makina me targa të huaja dhe e kishte vënën nën kontroll”, – tha Berisha në një intervistë në Syri TV.
Diskutime rreth kësaj post