Partia Socialiste ka humbur tre nga figurat e saj më përfaqësuese si “senatorin” Namik Dokle, dy zonjat Arta Dade dhe Valentina Leskaj.
Dokle, një nga themeluesit e Partisë Socialiste e ka marrë vetë vendimin për t’u tërhequr nga politika. “Senatori” socialist pati deklaruar prej kohësh që nuk do të pranonte të kandidonte më për deputet.
Ndërsa Valentina Leskaj e bëri publik sot vendimin e saj për të mos kandiduar më.
“Unë kam vendosur të mos kandidoj për zgjedhjet e ardhshme. Kjo ka qenë zgjedhja ime e vendosur jo në minutën e fundit dhe natyrisht e diskutuar dhe me Ramën dje në drekë. Është një vendim që e kam marrë unë. Nuk do jem më në Parlament. Unë do dëshiroja të zëvendësohesha nga një e re”, deklaroi Leskaj.
Në listën Rama të kandidatëve për deputetë mungon edhe një nga ikonat e PS, Arta Dade.
Rama tha në fjalimin e mbrëmshëm se Dade u largua vetë dhe e falënderoi për këtë. Disa media kanë shkruar gjithashtu se Dade e refuzoi kandidimin.
Por e pyetur nga portali “American Eye”, lidhur me deklarimin e Ramës dhe ato që shkruanin mediat, Dade tha se nuk ka refuzuar kandidimin, e vërteta është që nuk është përfshirë në listë.
Kreu i PS, Edi Rama ka vendosur ta zëvendësojë Daden në listën e Korçës me Elisa Spiropalin.
Edhe Artan Gaçi, deputet në dy legjislatura, me anë të një letre shpjegoi arsyet e moskandidimit.
Ndërkohë nga lista e kandidimit të PS u hoq dhe deputeti Vladimir Kosta, duke përdorur indirekt Prokurorinë. Pak orë para publikimit të listave nga Rama, prokuroria rikërkoi në KQZ verifikim të formularit, i cili ishte verifikuar një muaj më parë. E gjitha duket se ishte një sajesë nga PS për të shmangur rikandidimin me argumetin e ligjit të dekriminalizimit, kur në fakt formulari nuk kishte shkelje.
Diskutime rreth kësaj post