Në 20 gusht të vitit te kaluar, ngjarja që do të kthente sytë drejt fshatit Çekin të Gramshit do të ishte hyrja pa leje në uzinën e cila ka shërbyer për demontimin e armëve dhe sulmi që njeri nga ruset kreu ndaj ushtarëve shqiptarë, duke u cilësuar si sulm rus ndaj NATO
Reklama
Rusët Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fedir Alpatov do të arrestoheshin, për t’u përballur në akuzat nga prokuroria e Elbasanit për “goditje për shkak të detyrës”, “dhënia e informatave sekrete”, dhe “sigurimi i informatave” kryer në bashkëpunim
9 muaj më pas Timofoeva dhe Alpatov e fituan lirinë sipas kërkesës së vetë prokurorit dhe e lanë paraburgimin për shkak të afateve hetimore, ndërsa i treti Mikhail Zorin mbahet në arrest shtëpie.
Reklama
Por çfarë i solli këta tre të rinj në Shqipëri, cili ishte qëllimi dhe pse hynë në një uzine e cila ishte tejet e vështirë për t’u lokalizuar?
Mikhail Zorin ishte i riu i cili do të organizonte gjithë udhëtimin, duke ftuar dhe dy miqtë e tij në Shqipëri.
“Shqipëria është një vend i njohur për fabrikat dhe rrënojat e komunizmit dhe unë doja ta vendosja në listën e aventurave te mia. Kisha planifikuar udhëtim njëmujor, i cili nisi në Kroaci dhe do të përfundonte ne Greqi, por përfundoi atë pasdite me shi në Gramsh. Ne kemi grupet tona në internet dhe unë i njihja më parë dy miqtë e mi, të cilët i ftova t’i bashkoheshin këtij udhëtimi, fillimisht ftova Fiodorin e me pas Svetlanën”, tregoi ai për Euronews Albania.
Reklama
Pas një viti nga ngjarja, Euronews Albania vizitoi Uzinën e Gramshit bashkë me Svetlana Timofoeva, për të marrë detaje të cilat nuk janë nxjerrë më parë në dritë.
“Është hera e parë që qëndroj përballë uzinës, sepse ne hymë nga mbrapa saj. Ky vend, në dijeninë tonë, ishte totalisht i braktisur, nuk kishte shenja ndalimi, ato janë vendosur të reja tani. Ne qëndruam brenda për disa orë e teksa ishim jashtë, dikush ndoqi mikun tim rus. Ai u përpoq të vetëmbrohej duke i sulmuar ata me spry. Policia erdhi, dhe siç e dini, na arrestoi të treve”, rrëfen Svetlana Timofoeva.
“Gjithçka ndodhi jashtë uzinës, nuk e dija se çfarë me priste nga ata persona që po me ndiqnin. Ata ishin pa rrobat zyrtare të ushtrisë, njëri nga ata me kapi çantën, më tërhoqi dhe për këtë arsye përdora spry, për t’u vetëmbrojtur”, thotë rusi Mikhail Zorin.
Fillimisht, Svetlana Timofoeva do të dyshohej si liderja e një grupi të mundshëm spiunazhi, për shkak se kishte hyrë dhe më herët në Shqipëri, duke vizituar dhe zona të tjera ushtarake.
Burime për Euroneës Albania bëjnë me dije se fillimisht Timofoeva do të hynte në tokën shqiptare në 3 prill 2018 e do të dilte në këmbë 12 ditë më vonë nga Qafë-Thana. Herën e dytë ajo do të kthehej në 16 mars 2019 dhe do të qëndronte vetëm dy ditë. Herën e tretë arriti në Tiranë në 17 gusht.
“Mikhail organizoi çdo gjë. Më lajmëroi që do të lajmëronte dhe një shok të tij nga Ukraina, i cili është djali që ka makinën sportive portokalli. Nuk e dija që e kishte këtë makinë në fakt dhe kam ngelur e çuditur kur e kam parë, por tashmë kisha ardhur në Shqipëri dhe ishte tepër vonë të refuzoja këtë udhëtim. Ne hymë brenda nëpër rrënojat e komunizmit dhe në Gramsh fotografuam për orë të tëra mjete të vjetra, pjesë armësh dhe gjëra të tjera. Hymë nga mbrapa uzinës, ishte shumë e lehtë për t’u futur dhe fotografuam gjithçka pamë, siç bëjmë përherë”, u shpreh Timofoeva.
Prokuroria e Elbasanit vazhdon t’i qëndrojë dyshimeve të saj se ka përpara spiunë rusë, dhe këtë qëndrim e bazon në hartat e vizituara, të gjetura 5 aparate celularë. Por më bindës për hetuesit është një dokument sekret i firmosur para agjentëve të antiterrorit nga Zorin, një student kimie i cili pretendohet se u rekrutua gjatë një proteste në Rusi.
Gjithçka tjetër ai ka thënë konsiderohet sekret i sigurisë kombëtare. Tre të rinjtë nga mosha 28 deri në 34 vjeç u kapën nga dy ushtarë në tentativë për t’u larguar, thekson prokuroria e Elbasanit, sipas të cilës njëri prej tyre u përplas fizikisht me ta duke ju hedhur spray.
Sot Mikhail Zorin jeton me qira në Tiranë, në një apartament që Euronews Albania nuk mund ta bëjë publik për shkak të rrezikimit të jetës së të dyshuarve.
Zorin jeton së bashku me Alpatov dhe Timofoeva, që të tre me dokumente të bllokuara nga shteti shqiptar dhe mbikëqyrje nga autoritetet.
Në një rrëfim të mëparshëm gjatë hetimeve intensive të autoriteteve shqiptare, studenti i kimisë ka pranuar se ai erdhi në Shqipëri i ngarkuar me detyrë nga shërbimet ruse FSB.
Ai fotografoi bashkë me shokët e tij pika të reparteve të njohur në Bovillë, Poliçan, Patos dhe Gramsh, gjithashtu fotografoi dhe ujësjellës të ndryshëm.
Tani që muajt kanë kaluar nga kjo deklarate e firmosur prej tij, Zorin i thotë gazetarit Xhensil Shkëmbi një version ku pranon nënshkrimin e rrëfimit. Megjithatë, ai shton se e dha një rrëfim vetinkriminues për shkak të dhunës policore.
“Po, është e vërtetë që kam firmosur këto dokumente, por i kam firmosur vetëm sepse doja të shpëtoja veten. Policia më kërcënoi, më shkaktoi dhimbje, më bënin presion, më godisnin në fytyrë dhe në kokë dhe pjesë të tjera të trupit”, – deklaroi Zorin.
Ky pretendim i Mikahil Zorin kundërshtohet nga ana e prokurorit të çështjes Kreshnik Ajazi, i cili në një komunikim me Euronews Albania tregon se me këtë shtetas të dyshuar si spiun është respektuar çdo procedurë ligjore dhe në momentet e nënshkrimit të këtyre dokumenteve sekrete kanë qenë prezent avokati i tij dhe përkthyesi.
Ndërkohë, Isuf Shehu, avokati aktual i dy rusëve ka mohuar te ketë dijeni për këtë pretendim të ngritur nga klienti i tij, duke u shprehur se në momentet e firmosjes ende Zorin nuk ka qenë klienti i tij, por i një avokati tjetër.
Teksa prokuroria po pret përgjigje nga SPAK mbi akt-ekspertizën për aparaturat e bllokuara, edhe avokati i tyre pret të njihet me dokumente që deri më sot konsiderohen të klasifikuara.
Një tjetër pretendim i ngritur nga Timofoeva, që akuzon institucionet shqiptare, lidhet me trajtimin e keq që i është bërë në burg. Ajo thotë se 2 muajt e parë nuk është lejuar të komunikojë me askënd nga familja e saj, e as me avokatin mbrojtës. Ky i fundit e konfirmon akuzën e Timofoevës.
“Për tre muajt e parë u vendosa në spitalin e burgut, në izolim të plotë, pa asnjë kontakt me botën jashtë, nuk kisha leje t’i flisja askujt, as policisë. Më pas më kaluan në burgun e grave, përsëri në kushte izolimi, ku nuk më lejohej të flisja me askënd. Kur doja të flisja me të, më duhej një telefon. Në spital nuk kishte telefon, e familjen time nuk e telefonoja dot në Rusi sepse nuk kishte mundësi telefonike. I kërkoja të flisja me avokatin tim, por përsëri nuk më lejonin të flisja me të. Deri sa erdhi një grup nga Avokati i Popullit për të më pyetur për kushtet e mia, ndërkohë që unë nuk kisha as rroba dhe asnjë të drejtë. Vetëm atëherë situata mori zgjidhje, por dhimbja ishte e madhe të mos flisje me askënd për afro dy muaj. Edhe gratë e dënuara në burg ato muaj e kishin të ndaluar të komunikonin me mua”, u shpreh Timofoeva.
Të dy rusët mohojnë të kenë pasur ndonjëherë kontakte me shërbimet inteligjente ruse, ndërkohë që planifikojnë të jetojnë në Shqipëri, pasi sipas tyre, nuk janë më të sigurt në vendin e tyre për shkak të qëndrimit kundër Putin dhe kundër luftës që kanë bërë në rrjetet e tyre sociale.
“Asnjëherë nuk kam qenë në kontakt me ta, dënoj çdo veprim të tyre, jam kundër Putin dhe kundër çdo veprimi antinjerëzor të tyre. Këtë e kam thënë publikisht disa herë”, – u shpreh Zorin.
“Nuk ka asgjë për të spiunuar këtu. Janë vetëm disa zona industriale, të braktisura, nuk besoj se ka interes për spiunazh në gjendjen ku këto vende janë. Nuk kam qenë asnjëherë në kontakt me diçka të tillë. Madje është qesharake kur doni të sillni turistë këtu, dikush vjen herë pas here si turist, ju i vendosni emrin spiune”, deklaroi Timofoeva.
I treti, ukrainasi Fedir Alpatov nuk pranoi të flasë, sepse siç i tha gazetarit Xhensil Shkëmbi jashtë kamerës, ai po ndjek rekomandimin e të atit, që e ka këshilluar: “Sa më larg kamerave, aq më shumë larg vëmendjes”.– tha ai.
Diskutime rreth kësaj post