Nga Skënder Minxhozi
Ka thënë më shumë se një herë se preferon të jetë qytetar, jo politikan. Pak si e çuditshme kur bëhet fjalë për një kryeministër në detyrë, me një angazhim në katet e larta të politikës prej rreth 20 vjetësh. Por ja që Edi Rama përpiqet çdo ditë, me mënyrat e tij, që të na bindë se është kështu e jo ndryshe.
Fjala e kryeministrit të enjten në Kuvend i ka të gjitha elementet për t’u mbajtur mend gjatë në analet e marrëdhënieve të trazuara, plot kthina e prapaskena shqiptaro-greke. Rama ka folur gjatë, siç di të flasë vetëm ai, plot figura letrare, ironi e nerv polemik, siç e ka në thelbin e publicistikës së tij, por këto nuk janë gjëra për t’u mbajtur shënim nga fjala e tij e fundit në parlament. Sepse gjetiu ishte e reja, surpriza dhe befasia e atij fjalimi, ku kryetari i PBDNJ, ose ndryshe “miku Dule” ishte vetëm referenca fizike e interlokutorit me të cilin Edi Rama kishte vendosur të komunikonte hapur dhe pa dorashka.
Kryeministri njoftoi një ditë para se parlamenti të mblidhej, se “neser do ta marrin përgjigjen time për sa kane thënë këto ditë, fqinjët tanë të vjetër e të dashur…Sepse koha e fqinjit te pasur qe i tregonte arat fqinjit te varfer ka marre fund mes nesh”. Edhe ky mesazh i shkurtër në rrjetet sociale e parathoshte qartë se përse bëhej fjalë: Edi Rama kishte vendosur të devijonte nga të qenit një lider “politikisht korrekt” në raport me fqinjin jugor, duke afishuar edhe një herë shpërfillje dhe neglizhencë për kufinjtë aksiomatikë të postit që mban.
Mund të jesh dakord ose mund ta kritikosh fjalimin e Ramës, por nuk mund të mbetesh indiferent ndaj tij. Sepse kryeministri shqiptar polemizoi ashpër dhe hapur të enjten me të gjitha tezat e vjetra dhe të reja greke: nga ligji i luftës tek Çamëria, nga emigrantët me emra të tjetërsuar tek pronat e minoritetit grek, duke u ndalur specifikisht tek situata e krijuar së fundi në Himarë. Rama bëri hapur thirrje për një rikonsiderim të regjistrit të sjelljes dhe komunikimit mes dy vendeve. Ai kritikoi hapur ndërhyrjen e përsëritur greke në pjesë të caktuara të Shqipërisë dhe në sektorë të skenës së saj politike, duke ngulmuar për një qëndrim të përmbajtur dhe të distancuar të Athinës zyrtare nga çeshtjet e brendshme shqiptare.
Për një palë që priret drejt kujdesit dhe taktit diplomatik, fjalimi i Ramës ishte një akt provokimi i panevojshëm. Sipas këtij koncepti, me Greqinë është konsumuar tashmë shumë retorikë luftarake dhe duhet një sezon paqeje. I cili mund të vinte për shembull, me shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve. Çka nuk ka ndodhur ende pas ardhjes në pushtet të të majtës. Nga ana tjetër, janë jo të paktë ata që shohin tek qëndrimi i fundit i Edi Ramës, një akt çlirues nga hipokrizia dhe asimetria historike që ka mbizotëruar në marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës. Për këtë rrymë mendimi, ka ardhur koha që me pakën greke të flitet me shpinë të drejtuar dhe duke u parë në sy.
Ajo që mbetet nga fjalimi i të enjtes në Kuvend i kryeministrit shqiptar, është një tokë e pazbuluar. Ajo që dimë është se grekët nuk përtojnë të lëvizin të gjithë gurët që kanë në dorë (megjithëse dikush mendon se këta të fundit janë pakësuar vitet e fundit), për të goditur ata që u sillen ashpër. Të shohim nëse mëria e heshtur greke do ta japë goditjen diku në Bruksel apo në instanca të tjera ku ka miq dhe vota. Pak më e vështirë duket që pala greke të kundërpërgjigjet me metodën e vjetër të “fshesës” ndaj emigrantëve tanë në shtetin helen, që tashmë tingëllon si një relike e viteve ’90. Gjithsesi fjalimi i Edi Ramës ka prerë me thikë epokën e normalitetit të sforcuar mes dy vendeve, duke na shtyrë drejt një periudhe të re e cila mbetet e gjitha për t’u zbuluar. (Javanews.al)
Diskutime rreth kësaj post