Presidenti amerikan, Barack Obama, iu drejtua për herë të fundit Kongresit amerikan me një fjalim ku pasqyrohej gjendja e vendit. Lufta kundër terrorizmit dhe sulmi ndaj linjës së Donald Trump ishte në fokusin e fjalimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë që u ndoq nga 30 milionë amerikanë.
Edhe pse nuk përmendi asnjë emër, Obama sulmoi Donald Trump për propozimin e tij për t’ju ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA. Ai ftoi amerikanët që mos pranojnë politikat që targetojnë njerëzit për shkak të racës dhe besimit të tyre.
“Kur politikanët fyejnë myslimanët, pavarësisht nëse janë shtetas amerikanë apo jo, kur një xhami bëhet pre e akteve vandale, ose një fëmijë ngacmohet, nuk na bën ne më të sigurtë. Kjo nuk është e drejtë, kjo është një gjë e gabuar”, deklaroi Obama.
Presidenti i SHBA, duke folur për luftën ndaj militantëve të ISIS, tha se së shpejti këta “vrasës dhe fanatikë do të shkatërrohen”.
Po ashtu, në Kongresin që kontrollohet nga republikanët, Obama bëri thirrje për më shumë unitet. Ai tha se i mbetet peng fakti që nuk arriti të zhdukë hendeqet mes palëve gjatë shtatë viteve si shef i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se kjo “nuk është një punë që mund ta bëj i vetëm”.
Duke folur për ekonominë, Obama tha se amerikanët gëzojnë një ekonomi të qëndrueshme, me 14 milionë vende të reja pune vetëm në sektorin privat, që është numri më i lartë që nga vitet ’90.
“Kushdo që pretendon se ekonomia amerikane është në rënie, fantazon. Në 6 vitet e fundit vetëm prodhimi industrial ka krijuar rreth 900 mijë vende të reja pune. Është rritur numri i të punësuarve në sektorin privat duke shkuar në 14 milionë, papunësia është përgjysmuar. Ne kemi bërë hapa përpara, por duhet të bëjmë akoma më shumë”, tha ai.
Obama deklaroi se është shumë optimist për rrugën që ka marrë vendi, duke thënë se vite të lavdishme e presin edhe pasi ai të largohet nga detyra. Ai tha se askush nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimet.
“Amerika ka kaluar përmes rrugës së ndryshimeve të mëdha edhe më parë dhe çdo herë ka pasur njerëz që na kanë thënë se duhet të kemi frikë nga e ardhmja, që kanë pretenduar se duhet ta frenojmë ndryshimin. Çdo herë, ne e kemi mposhtur këtë frikë”, vazhdoi Obama.
Diskutime rreth kësaj post