Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të së martës, frika e deportimit përndjek shumë familje emigrantësh në Shtetet e Bashkuara.
Ëndrra amerikane e Omar Castillo dhe Erica Garcia u thye në 2013-n, kur Castillo u përfshi në një grindje në fushën e futbollit ku luante i biri i tij, Uliksi.
35-vjeçari përballet me deportimin dhe Garcia, së bashku me dy prej tre fëmijëve të tyre, nuk kanë dokumenta të rregullta qëndrimi.
Çifti ka hyrë në Shtetet e Bashkuara në 2006-n me Uliksin dhe vajzën Yesenia, ndërsa vajza e tretë, Alma, ka lindur në Amerikë duke e marrë kështu nënshtetësinë automatikisht.
“Fëmijët tanë janë mësuar me jetesën këtu. Këtu është e ardhmja e tyre. Nëse kthehemi në vendin e lindjes do të përballemi me skamjen. Atje nuk ka punë e shpesh herë mbetesh dhe pa bukë”, thotë Erica Garcia.
Me makthin e deportimit, Castillo jeton prej tre vitesh, por tani, pas zgjedhjeve presidenciale, frika e tij bëhet akoma dhe më e prekshme.
“Nëse më largojnë e më çojnë në Meksikë do të jetë shumë e rëndë për mua. Shqetësohem sidomos për vajzën e vogël, jemi tepër të lidhur bashkë”, thotë Omar Castillo.
“Më fut drithmat ideja e asaj çfarë mund të ndodhë nëse im shoq deportohet. Unë nuk punoj, kam fëmijë për të rritur, çfarë më mbetet të bëj, ta ndjek nga pas se s’kam çfarë të bëj tjetër”, thotë më tej bashkëshortja e tij.
Juristë dhe ekspertë të emigracionit po përpiqen t’i qetësojnë njerëzit e shqetësuar nga retorikat e ashpra të Trump kundër emigrantëve, duke u lënë të kuptohet se ndryshimi i ligjeve të emigracionit nuk ka për të qenë dhe aq i lehtë.
Diskutime rreth kësaj post