Kukësi ka humbur një ndeshje mjaft të rëndësishme në transfertë ndaj Skënderbeut në një moment kyç të kampionatit, pasi një fitore e afronte skuadrën tri pikë me vendin e parë, ndërkohë që humbja e largoi me nëntë pikë. Ky rezultat ishte tepër zhgënjyes për gjithë ambientin sportiv kuksian duke filluar që nga tifozët, lojtarët, stafi, e deri te kreu i klubit, Safet Gjici.
Mbas përfundimit të takimit, numri një i klubit, i zhgënjyer nga humbja, u largua me herët nga stadiumi i Skënderbeut dhe lajmëroi për mbledhje urgjente stafin dhe disa prej senatorëve të ekipit. Mbledhja filloi dje në orën 09:00 të mëngjesit në zyrën e Gjicit dhe për plot 1 orë e 40 minuta, krerët më lartë të klubit së bashku me lojtarët kanë diskutuar për disfatën e Korçës.
Në takim morën pjesë presidenti Gjici, stafi teknik me në krye trajnerin Milnikoviç, stafi administrativ me shefin e klubit, Jonuz Hallaçin, dhe menaxheri i klubit, Naim Halili. Në radhët e lojtarëve u thirrën katër prej emblemave të ekipit aktual me në krye kapitenin Ylli Shametin, ish-kapitenin Rrahman Hallaçi, zëvendëskapiteni Besar Musolli dhe sulmuesi Elis Bakaj.
“Panorama Sport” zbardh momentet më pikante të mbledhjes, debatet e ashpra, akuzat dhe kundërakuzat më tone të larta që ndodhën në këtë takim urgjent. Presidenti Gjici ka kërkuar llogari për këtë humbje, ku trajneri Milinkoviç ka theksuar se lojtarët nuk zbatuan detyrat e dhëna prej tij e më pas, debati ka vijuar mes trajnerit dhe menaxherit Halili, i cili i ka dalë hapur kundër, ku ka i ka theksuar presidentit se është faji i trajnerit që Kukësi ka këto rezultate duke i nxjerrë në pah dhe numëruar gabimet e trajnerit.
Por, ka qenë presidenti Gjici ai që ka mbrojtur trajnerin duke ia hedhur fajin lojtarëve dhe vetë menaxherit Halili për merkaton. Palët kanë akuzuar njëri-tjetrin derisa në fund janë marrë vendimet për të ardhmen. Madje, presidenti ka sulmuar dhe lojtarët duke iu kujtuar rrogat e dhëna dhe premtimin e tyre për fitore, por duke ditur rëndësinë e senatorëve dhe ata çka ata japin në fushë, kreu i klubit është rezervuar paksa, pasi çështja i çalon te futbollistët e tjerë në ekip jo te katërshja që ishin prezent.
Gjithsesi, fakti që ata janë boshti i ekipit, i bën të mbajnë edhe përgjegjësi më të madhe. Presidenti Gjici në fund ka vënë kusht, tri fitore në tre takimet e radhës. Në rast se një gjë e tillë nuk realizohet, presidenti i verilindorëve pritet të marrë masa drastike për lojtarët.
Diskutime rreth kësaj post