“Nuk keni parë gjë akoma”. Kështu tha ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në përfundim të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, ku mbledhja u shty për ditën e nesërme, duke i dhënë kohë deri në orën 10.00 të së shtunës, avokatit mbrojtës.
“Jeni të qartë dëgjuat atë që unë e quaj estradë. Jam i gatshëm të presë deri në momentin e fundit, kushdo qoftë momenti i fundit, pa lënë asnjë hallkë apo shteg për të bërë drejtësi deri në fund. Unë ju thashë se nuk keni parë gjë akoma, por juve ju duk si një gjë për t’ju shmangur. Por po ju them nuk keni parë asgjë akoma”, u shpreh Tahiri.
Ai kërkoi që të bëhet durim dhe se e vërteta do të dalë në shesh shumë shpejtë.
“Bëni durim siç po bëj unë durim, e vërteta do dalë në dritë dhe nuk do të vonojë shumë
do i shkoj pas kësaj historie sa të zbardhet e vërteta. Do jem i kënaqur kur e vërteta të dalë në sytë e shqiptarëve”, tha ish-ministri i Brendshëm.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren në Kuvend, i doli në krahë Saimir Tahirit, i akuzuar për trafik droge.
Ndërsa avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari kërkoi tre ditë kohë, deri të hënën, që të përgatisë mbrojtjen, Ruçi i ka dhënë të drejtë.
Ai tha në mbledhjen e cila përfundoi rreth orës 16.50 të pasdites së sotme, se është e domosdoshme marrja në konsideratë e kërkesës.
“Keni kohë deri nesër, nesër në orën 10.00 mblidhet këshilli”, u shpreh i prerë Gramoz Ruçi.
Nga ana e tij deputeti demokrat Enlekejd Alibeaj deklaroi se përfaqësuesit e opozitës në Këshill kërkojnë që seanca të vazhdojë.
Por Ruçi tha se nuk po merret një vendim në kundërshtim me procedurat e parlamentit, duke nënvizuar se kur fillon dhe kur mbaron mbledhja e përcakton kryetari i komisionit.
Në këtë linjë sqaroi se në asnjë rast të ngjashëm nuk është mbyllur me një mbledhje Këshilli i Rregullores.
“Ka qenë vetëm një rast, rasti kur deputeti ishte i ndaluar. Për Lulzim Bashën ka zgjatur 60 ditë Këshilli i Rregullores Imunitetit dhe Mandatit. Këtij këshilli i duhet kohë. Nesër në orën 10.00 jeni të ftuar të vini këtu”, tha i prerë kreu i Kuvendit.
Demokrati Alibeaj kërkoi që të hidhet në votim kërkesa, duke e cilësuar vendimmarrjen e Ruçit si të turpshme.
Diskutime rreth kësaj post