Mjeku nga Gjakova, Jetish Jetishi, i cili fitoi betejën me Covid19, dy ditë pasi doli nga spitali deklaron se gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Një bisedë për KosovaPress, neurologu tha se para se të dilte pozitiv me koronavirus, ka ndjerë lodhje dhe humbje oreksi.
“Kam qëndruar dhjetë ditë në Klinikën Infektive ku jam trajtuar në mënyrë shumë humane, profesionale dhe në aspektin psikologjik na kanë qëndruar shumë afër. I falënderoj nga zemra stafin e Klinikës Infektive, na kanë inkurajuar dhe na kanë qëndruar shumë afër pavarësisht që kanë qenë të rrezikuar”, thotë ai.
Sipas protokollit, Jetishi tha se dy hëre që ka bërë analizat, ka rezultuar negativ. “Kam rekomandime që një javë të qëndroj në shtëpi dhe për distancim shoqëror siç e parashohin rregullat e Institutit Kombëtar të shëndetit Publik”, thotë Jetishi.
Me gjithë vështirësitë e qëndrimit larg familjes, Jetishi porositë që të mbahet distanca në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.
“Mendoj që ne shqiptarët pak i kemi pas tepruar me këtë afërsinë shoqërore, e kam vështirë sepse dhjetë ditë nuk kam qenë afër familjes, por jam i lumtur që jam kthyer në familjen time”, thotë ai.
Jetishi thotë se vajza e tij gjithashtu ka dalë pozitive me Covid-19. Ai tha se gjendja e saj është e qëndrueshme.
Jetish Jetishi është infektuar teksa shërbente në Repartin e Emergjencës në Gjakovë. Ai thotë se ndjehet mirë meqë ka arritur të ndërpresë zinxhirin infektues dhe kështu nuk ka infektuar asnjë nga kolegët e tij në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Ai porositë qytetarët që të u përmbahen rekomandimeve të Institutit, në mënyrë që të kursejnë jetën e të moshuarve dhe bluzave të bardha.
Diskutime rreth kësaj post