Nga Mero Baze
Kosova ka një fitimitar që nuk e merr dot pushtetin dhe disa humbës, që së bashku mund t’ia dalin të formojnë qeverinë. Albin Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje”, kanë arritur një rezultat mbreslënës, duke dyfishuar rezultatin e tyre të fundit, përmes një lëvizje politike që ngjall besim tek mënyra si i mbrojnë parimet e tyre, distanca nga pushteti, por në disa raste dhe distanca ndaj Perëndimit.
Vetëvendosja ishte e vetmja parti që konkurroi si parti opozitare, ndërsa LDK, edhe pse ishte me një koalicion opozitar, vinte nga gërmadhat e pushtetit.
Formimi i qeverisë së re të Kosovës, nuk është çështje numrash, por çështje parimesh.
Çështjet për të cilat janë ndarë koalicionet dhe janë prodhuar kriza në qeverinë e kaluar, kanë qenë vija ndarëse me Malin e Zi dhe formimi i shoqatave të komunave serbe. “Vetëvendosja”, “Nisma” dhe “AAK” e Haradinaj, kanë qenë kundër këtyre zhvillimeve dhe ja kanë dal ta bllokojnë në Kuvend me dhunë, por sot nuk janë më bashkë.
Qeveria e re që do të formohet, duhet t’i japë përgjigje këtyre sfidave. Dy kandidatët kryesorë për kryeministër janë kundër këtyre zhvillimeve, por ata mund të moderohen nga partitë aleate që do hyjnë në qeveri.
Kandidati më i votuar për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka pak gjëra për të humbur. Ai i ka provuar të gjitha, luftën, paqen burgun, kryeministrin, heroin, banditin dhe viktimën. Në këto kushte, ai mund të bëjë përpjekje për të siguruar mandatet me të gjithë mënyrat, jashtë parimeve politike apo retorikës së fushatës, duke garantuar perëndimorët se do të votojë kufirin me Malin e Zi, shoqatën e komunave serbe të Kosovës, do të vazhdojë dialgun me Serbinë, dhe në shkëmbim do të kërkojë më shumë tolerancë ndaj krerëve politikë të Kosovës, që mund të ripërballen me historitë e luftës dhe korrupsionit.
Kur them që ai nuk do të ketë parime në këtë pikë, kam parasysh që mund të përpiqet të ndajë dhe deputetë të LDK nga vendimi politik i partisë.
Kjo do të jetë natyrisht një qeveri që nuk reflekton ndryshimin në Kosovë, por mbijetesën e partive të vjetra, por mund të jetë funksionale.
Koalicioni që politikisht do përfaqësonte një farë ndryshimi, do ishte ai mes Vetëvendosjes dhe LDK, njëra parti e djathtë e atashuar pranë Partive Popullore Europiane, tjetra e majtë, atashuar pranë Internacionales socialiste.
Ky koalicion në emër të ndryshimit, kërkon së pari ndryshimin brenda ver “Vetëvendosjes”. Lideri i saj Albin Kurti, duhet ta marrë seriozisht kompabilitetin e tij me politikën perëndimore, jo si aspiratë personale, por si detyrim ndaj Kosovës. Ai duhet të ndajë përgjegjësitë politike me LDK dhe personalitete të tjera nga shoqëria civile, për të dëshmuar se nuk ka aq vota sa të flasë në emër të Kosovës dhe nuk është aq egocentrist, sa ta ndëshkojë ndryshimin e Kosovës, për shkak të egos së tij.
Nëse LDK ja del t’i japë votat pa kushtëzime dhe Kurti përfshin në qeveri personalitete të Kosovës që kanë fuqinë e duhur për të marrë vendime të vështira, edhe pa e dëmtuar “Vetëvendosjen”, ai mund t’ia dalë të jetë kryeministri i ndryshimit, duke ndryshuar dhe veten.
Ai duhet të kuptojë se Kosopopulizmi me çështje që kanë të bëjnë me shtetformimin e Kosovës, por mbi të gjitha e kanë shpëtuar Perëndimi dhe NATO, me parimet e tyre të shoqërisë së hapur, të drejtave dhe lirive njerëzore dhe ndërhyrjen ushtarake për t’i mbrojtur ato.
Shumë liderë të ngjashmë si Kurti, që i nxorri në sipërfaqe vala e re e populizmit të majtë vitet e fundit po ndryshojnë dhe po bëhen kompatibël me Perëndimin. Cipras është rasti më i suksesshëm. Kurti duhet të bëje betejë me veten, për ta fituar këtë sfidë për Kosovën.
Dhe ai e meriton Kosovën, kur të meritojë dhe mbështetjen e Perëndimit. Një lider me nuancat më të vogla antiperëndimore në Kosovë, qoftë dhe në formën e enverizmit të fshehtë, mund t’u duhet disa mijëra shqiptarëve, por nuk i duhet Kosovës.
Tani që Kurti i ka fituar kosovarët, duhet të fitojë Kosovën.
/TemA
Diskutime rreth kësaj post