Shkoi në Turqi me besimin se po bënte hapin e madh duke iu bashkuar Giresunspor. Por e ardhmja e Esat Malës nuk do të jetë në klubin e Superligës turke që bëri çmenduri për të afruar lojtarin duke ia rrëmbyer nga duart Samsunsporit.
Gjatë ditës së sotme, teksa skuadrat në Turqi kanë nisur regjistrimet përfundimtare të lojtarëve për sezonin e ri futbollistik, është mësuar se Esat Mala nuk do të jetë pjesë e Giresunspor.
Klubi turk me sa duket nuk ka pëlqyer paraqitjet e tij në fazën përgatitore që ka zhvilluar gjatë verës. Sipas mediave turke, lojtari nuk është regjistruar kësisoj me Giresunspor dhe i është dhënë leja që të fillojë të kërkojë në ditët në vijim një skuadër të re për të vazhduar karrierën e tij pasi nuk bënte pjesë në planet e këtij klubi.
Një situatë e pazakontë për ish-futbollistin e Partizanit, i cili kishte refuzuar disa oferta të mira për të veshur fanellën e Giresunspor, meqë ky i fundit luan në Superligën turke. Tani mbetet të shihet nëse ai do të pranojë një nga ofertat e tjera që kishte nga Turqia, apo nëse do të zgjedhë të vijojë karrierën në një klub tjetër.
Diskutime rreth kësaj post