Himara ka zhvilluar dje zgjedhjet e pjesshme vendore për të zgjedhur kryetarin e ri të Bashkisë. Himarjotët zgjodhën Vangjel Tavon. KQZ bëri me dije se në Himarë votuan 8333 zgjedhës, ose 37.6% e totalit të 23.074 zgjedhësve në lista. Në total ishin 36 qendra votimi në Himarë që u hapën në orën 07:00 e u mbyllën në 19:00. Më 14 majin e vitit 2023 në Himarë votuan 7875 persona, ose 34.27%, me Fredi Belerin që 3840 vota, vetëm 19 vota më shumë se rivali socialist Goro që mori 3821 vota. Në Himarë u aplikua vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit u monitoruan me kamera. Probleme janë hasur me kartat e identitetit, ku rreth 6 mijë votues janë paraqitur me ID të skaduar. Kreu i KQZ ka shpjeguar se e njëjta situatë ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.
Celibashi sqaroi se nuk ka patur kërkesë nga partitë politikë, që të mundësohej një shtyrje afati. Problematika ka patur edhe mes komisionerëve dhe votuesve, ku shkak është bërë përdorimi i gjuhës greke. Po ashtu opozita ka akuzuar kandidatin e PS, Vangjel Tavon se ka shtuar në listat e votimit qindra qytetarë nga zonat e tjera. Denoncime ka patur edhe për mazhorancën, për vendosje të personave me precedentë penal në qendrat e votimit, të cilët dyshohet se ushtronin presion ndaj votuesve. Edhe sekretari i Omonias denoncoi se një komisioner në Vranisht është kërcënuar me jetë nga bandat kriminale
Opozita akuza për manipulime
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas përfundimit të votimit akuzoi kryeministrin Rama se u ka mohuar të drejtën e votimit 6153 banorëve të Himarës, në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën dje. Ai nuk nguroi ta quante moslejimin e qytetarëve me karta identiteti të skaduara, një akt kriminal të Edi Ramës. “Edi Rama ju mohoi të drejtën e votimit, e ushtrimit të së drejtës kushtetuese për votimin 6153 banorëve të Himarës se me pretekstin se atyre u kishin skaduar kartat e identitetit. Ky dënim, ky ndëshkim i qytetarëve të Himarës, se kartat e tyre kishin skaduar ndërkohë që kishte skaduar vetëm data, por nuk kishte ndryshuar asnjë nga elementët e sigurisë që dëshmonin identitetin e qytetarit, është një akt kriminal, është një akt që fakton për të 100 herë se me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka dhe nuk do të ketë. Të dashur miq! Në zgjedhjet e 14 majit, në Himarë dhe mbarë vendin u zgjat afati i përdorimit, apo u autorizua përdorimi i kartave të identitetit që u kishte skaduar afati.
Kurse sot pas një pune të zezë të identifikimit të zgjedhësve me karta të skaduara doli se në shumicë dërrmuese ata ishin zgjedhës të djathtë dhe Edi Rama refuzoi të firmosë dje, vendimin e qeverisë për të autorizuar vlefshmërinë e kartave pavarësisht nga data e skadimit”, u shpreh Berisha mbrëmjen e djeshme nga ballkoni i banesës së tij. Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka tha se administrata e Ramës ka premtuar tapi dhe leje për hotele. Ai shtoi se të gjithë hordhitë e pushtetit kanë zbarkuar për të tjetërsuar votën e himarjotëve. Noka shtoi se në disa zona, vota ka shkuar në 500 euro. “Celibashi e pohoi me gojë që në Shqipëri kush fiton e vendos Rama. 6157 votuesve iu mohua e drejta për të votuar. Që këtu Rama e ka përcaktuar gjithçka.Këtu ka të patën 3 javë që janë bandat e pushtetit çdo ditë duke shantazhuar dhe kërcënuar”, tha ai. “E gjithë administrata është këtu, duke dhënë tapi, duke premtuar leje për hotel apo gjëra të tjera. Gjithë hordhitë e pushtetit kanë zbarkuar për të tjetërsuar votën e himarjotëve. Në disa zona, vota ka shkuar në 500 euro. Të gjithë janë në terren, në fund do mblidhen provat”, shtoi Noka.
Reagimi i Gjikurisë pas votimeve
Kandidati i opozitës për zgjedhjet e Himarës, Petraq Gjikuria foli për mediat pas mbarimit të procesit të votimit. Ai u shpreh se në Himarë ka qenë e gjithë administrata. Më tej shtoi se do pranoj verdiktin e himarjotëve. “Dua të falenderoj bashkëqytetarët e mi, që më mbështetën në këtë fushatë të shkurtër. Panë në fytyrën time një njeri që mund të ndihmonte. Falënderoj PBDNJ, PD ,PL që më mbështetën mua dhe stafin që bënë punë palodhur. Unë do jem këtu do filloj numërimi, himarjotët fokën, tani numërohen kutitë dhe askush nuk duhet ti prek sepse himarjotët votuan për djalin e tyre të nesërm. Do punoj për himarjotët. Këtu në këtë fushatë kishin zbritur gjithë administrata që me presione kanë kërcënuar himarjot. Por himarjotët nuk tremben. Pjesëmarrje ishte më e lartë. Himarjotët nuk e ulin kokën. Do shikohen shkeljet që janë bërë dhe është punë e KQZ. Do pranoj verdiktin e himarjotëve. Kërcënime ka patur, administrata ka qenë këtu. Por ata kanë punën e tyre, bëra një punë të pastër. Qëllimi im të punoj për himarjotët. Duke parë që himarjotët shohin një shpresë tek unë dhe më jep një gëzim. Unë do jem fitues, dhe po të dojë Tavo të vijë për të punuar për mua është i mirëpritur. edhe në SHBA jam marrë me fushata të ndryshme. Atje punoja për të tjerët, këtu punoja për veten time. Opozita pa diskutim pa punuar për mua, jam i kënaqur për mbështetjen”, tha ai.
Kërcënime ndaj komisionerëve
Dje ka patur akuza se komisionerët janë kërcënuar. Sekretari i OMONIAS dhe mbështetësi i kandidatit Petro Gjikurias, Marin Suli foli për mediat pasi votoi për zgjedhjet e pjesshme në Himarë. Për gazetarët Suli hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës pasi sipas tij administrata ndodhet në Himarë duke bërë presion që të votohet Vangjel Tavo. Më tej shtoi se edhe bandat kanë kërcënuar. Në Vranisht tha ai u kërcënu një komisioner i Bashkë Fitojmë. “Kanë kërcënuar me jetë, me presion komisionerët tanë. Sigurisht nuk janë zgjedhje në një vend demokratik janë zgjedhje të sforcuar. Himara do reagojë, Himara do ketë një kryetar bashkie europian dhe amerikan. Shkoni të votoni, ju bëj thirrje, të votojnë një orë e më parë. Të mos kenë frikë nga presionet e rrugeçërve. Po po janë shumë të vërteta. I kemi referuar edhe në polici. Në Vranisht komisionerin tonë e kanë kërcënuar me jetë. Në lagjen 1 maj këtu e njëjta gjë. Nëpunës të administratës së bashkisë së Vlorës, na kanë kërcënuar me jetë. I kemi referuar në polici. Dhe prisnim që të bënte shumë më tepër. Këto do jenë subjekt kallëzimesh pas përfundimit të procesit zgjedhor”, tha ai.
KQZ e pranon: 6 mijë votues me ID të skaduara
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se problematika e kartave të skaduara të 6 mijë votuesve të Himarës nuk i përket KQZ dhe se duhej zgjidhur më parë, jo në ditën e fundit. Ai theksoi se nuk ka pasur një kërkesë zyrtare nga ana e partive politike që KQZ të komunikonte me përfaqësues të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme që të lëshohej një urdhër për zgjidhjen e kësaj problematike, siç ndodhi në zgjedhjet lokale të 14 majit për të zgjatur vlefshmërinë e dokumenteve. “Nuk ka të bëjë aspak me përgjegjësitë e KQZ, por mbetet jashtë procesit zgjedhor në themelin e vet. Janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme, dua të them që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, nuk kishin një dokument id të vlefshëm. Përse nuk u mor një vendim nga këshilli, këtë unë nuk mund ta them. Ne e kemi bërë këtë komunikim kur ka pasur kërkesë zyrtare nga partitë politike, s’ka pasur komunikim zyrtar, e kemi pasur informal, ngelet një çështje që është jashtë asaj sferës së përgatitjes dhe vëmendjes që duhet të ketë KQZ. Nuk kemi pasur komunikim me përfaqësues të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme sepse s’do të ishte zgjidhje kjo çështje duhej zgjidhur më parë, s’kemi pse hezitojmë, lidhet me interesin e vetë votuesve, janë ata të parët që vlerësojnë kanë apo jo interes për të pasur një mjet identifikimi. Edhe për partitë politike dhe subjekte të tjera të interesuara. Është interes që lidhet me vetë votuesit kandidatët dhe pjesëmarrësit në garë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post