Pas komenteve fyese për presidentin Barack Obama dhe deklaratave se i ka larë duart me Shtetet e Bashkuara, presidenti filipinas Rodrigo Duterte kërkon largimin e trupave amerikane nga vendi i tij, ndoshta në një hark kohor prej dy vjetësh.
Duterte është në vazhdën e ripërvijimit të politikës së jashtme të Filipineve dhe të linjës që do të ndiqet për çështjet e sigurisë.
Kjo nuk është hera e parë që kreu i shtetit filipinas lëshon të tilla kërcënime, por deri më tani ai nuk kishte dhënë një afat të përcaktuar kohor për tërheqjen e ushtrisë amerikane.
Me këtë lëvizje, Duterte duket se kërkon t’i dërgojë një mesazh të qartë Uashingtonit dhe fqinjëve në Azi, sidomos Kinës.
Sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një komunikim jozyrtar nga qeveria filipinase ku shprehet dëshira për ndryshime specifike të marrëdhënies apo aleancës mes dy vendeve.
Amerika sipas tij, mbetet e angazhuar ta ruajë partneritetin shtatëdekadësh me Filipinet. Earns shtoi se komentet e Duterte deri tani duket se do të mbeten retorikë, edhe pse kontribuojnë për një lloj pasigurie.
Diskutime rreth kësaj post