Në zyrën e Ujësjellës-Kanalizimeve Maliq, punonjësja Sonila Liço, gjatë kohës që ka punuar si faturiste ka përvetësuar rreth 600 mijë lekë, pagesa mujore të rreth 600 abonentëve të Maliqit të bëra gjatë viteve 2014-2016. Edhe pse gjatë një kontrolli të ushtruar nga Drejtoria Qendrore është vërtetuar përvetësimi që ka bërë punonjësja Liço, ajo vazhdonte të ishte ende në marrëdhënie pune.
“Fiks Fare”, pasi mori informacion lidhur me këtë situatë, u nis drejt Maliqit. Abonentët kanë paguar rregullisht dhe disponojnë librezat e firmosura dhe të vulosura. Por në sistem, për muaj të caktuar banorët dalin debitorë pranë Ujësjellësit.
Vet abonentët shprehen të habitur për faktin që dalin debitorë pranë zyrës së Ujësjellsit, pasi librezat e tyre i kanë të vulosura dhe firmosura, pas pagesave të kryera nga vet ata.
Para kameras së “Fiksit”, banori Hysen K. i Maliqit tund librezën e tij të vulosur dhe një shkresë nga Ujësjëllësi, ku ai del debitor për një shumë prej rreth 75 mijë lekësh. “Unë i kam paguar te faturistja dhe nuk e di pse më thonë që dal debitor. Për këtë të përgjigjen ata”, shprehet ai.
Ekonomisti: Banorët, debitorë derisa faturuesja të kthejë paratë e vjedhura
Bashkëpunëtorët e “Fiksit” u interesuan edhe pranë zyrës së Ujësjellësit në emër të abonentit që dilte debitor. Pas ballafaqimit me librezën, ekonomisti i kësaj zyre dhe financierja e pranojnë që vet abonentët i kanë paguar lekët, por sipas tyre janë vjedhur nga faturistja.
Ata i kanë thënë se, nëse nuk do të paguajë debinë prej rreth 600 mijë lekësh, do ta çojnë në hetuesi. “O lekët, o në hetuesi”, shprehet ekonomisti.
Gjithashtu ata pranojnë se kjo punonjëse është ende në marrëdhënie pune pranë zyrës së Maliqit, por në pozicionin e shpërndarjes së faturave. Financierja thotë se është vërtetuar që ka përvetësuar këto lekë, por nuk e dinë pse vazhdon ende në punë.
Drejtori i Ujësjellësit: Nëse na hedh në gjyq, nuk marrim dot paratë e abonentëve
Gazetarët e “Fiks Fare” intervistuan edhe drejtorin e Ujësjellësit për fshatrat në Korçë. Në fillim të shtatorit të vitit 2016, pranë kësaj zyre ka pasur sinjalizime se, nga faturistja e zonës Maliq rezultojnë parregullsi nga derdhja e pagesave në arkë. Pas këtyrë sinjalizimeve është ngritur edhe një grup pune për zbardhjen e kësaj situate.
Pas mbledhjes së të gjithë faturave, rakordimit me librezat dhe dëshmitë e abonentëve, u arrit në përfundimin se nga faturistja ishin përvetësuar plot 550 mijë lekë. Bashkë më kamatëvonesat, shuma shkonte në 600 mijë lekë.
Ky grup kontrolli doli me një raport në fund të muajit janar. Sipas drejtorit, pas marrjes së këtij raporti më 10 shkurt kanë thirrur edhe faturisten, e cila në fillim e ka kundërshtuar, por pasi është vënë para fakteve, ajo e ka pranuar përvetësimin dhe ka premtuar se do t’i kthejë lekët.
Kjo zyrë nuk ka zgjedhur që ta çojë çështjen në Prokurori apo gjykatë, pasi druheshin se do të zgjaste shumë si proces dhe abonentët e tyre do të ishin ende debitorë.
“Duke qenë se vet faturistja e pranoi fajin, ka shlyer lekët dhe debitorët janë në rregull, nuk e di a ka vend për ta çuar çështjen në Prokurori, sepse tani nuk ka dëm ekonomik”, u shpreh Vasil Stërjovski, drejtori i insituticionit të Ujësjellësit për fshatrat, nga ku ka varësi edhe zyra e Maliqit.
Sipas tij, ai është këshilluar edhe me juristin, i cili punon në mënyrë të pjesshme pranë kësaj zyre, dhe është i bindur se punonjësja ka shpërdoruar detyrën. Por sipas tij, duke qenë se Sonila Liço tani është në një pozicion tjetër ku nuk ka lidhje me lekët, nuk është marrë ndonjë masë për largim nga puna kundrejt saj. Ajo ka deklaruar pranë komisionit që do të ikë me dëshirë.
“Nëse nuk ikën me dëshirë, atëherë ne do të shikojmë mundësinë e pushimit nga puna. Gjithmonë duke u konsultuar me juristin, pasi mund të na hedhë në gjyq, ta fitojë nesër çështjen dhe na kërkon dëmshpërblim”, pohon drejtori.
“Fiks Fare” kërkoi të takonte edhe juristin “part time” të Ujësjellësit, i cili pranoi t’i takonte në Bilisht. Në momentin që gazetarët mbërritën në Bilisht, ai fiku telefonin, duke mos dhënë kështu asnjë shpjegim mbi ecurinë ligjore të këtij rasti kaq flagrant.
Shkarkimi i faturueses, 24 orë pasi shkoi “Fiks Fare”
Një ditë më pas, kur grupi i xhirimit të “Fiks Fare” ishte kthyer në Tiranë, drejtori Vasil Stërjovski u nisi gazetarëve me “e-mail” urdhrin e pushimit nga puna të punonjëses Sonila Liço. Urdhri që mban datën 23 shkurt 2017 është firmosur edhe nga ish-faturistja, e cila është vënë në dijeni për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të fshatrave Korçë.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post